Kryeakademikja Justina Pula është emri i cili ka mbështetjen më të madhe në diskutimet për presidente konsensuale, brenda Partisë Demokratike të Kosovës.
Deputetët e PDK-së pritet të mblidhen me fillim prej orës 14:00 të mërkurën, për të diskutuar pikërisht për çështjen e zgjedhjes së presidentit, raporton koha.
Deri tash nuk ka një emër që zyrtarisht ka marrë nënshkrimet për të qenë kandidat për president.
PDK-ja nuk ka pranuar të flasë publikisht për emra të përveçëm.
Ditë më parë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të ditur se oferta e tyre e fundit për një dakordim me Lëvizjen Vetëvendosje për çështjen e presidentit është që emri për president të propozohet nga PDK-ja, e të marrë mbështetjen edhe të VV-së.
Ai pati thënë se emri nuk do të jetë partiak.
Hamza e Kurti janë takuar dy herë deri tash. Nga takimet nuk ka pasur rezultate konkrete për ndonjë kandidat konsensual.










