Juristi Kolë Krasniqi: Kryeministri po e përdor drejtësinë sipas interesit personal

Pas pjesëmarrjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në seancën e shqyrtimit fillestar ndaj Faton Klinakut dhe Nuredin Selmanit të dyshuar për kanosje ndaj tij, juristi Kolë Krasniqi është prononcuar për “Front Online” duke akuzuar Kurtin për përdorim selektiv të drejtësisë.

“Ky akt shihet si shmangie, por edhe si mungesë respekti ndaj institucioneve të drejtësisë që ai vetë premton se do t’i forcojë. Kur i njëjti kryeministër ftohet për të dëshmuar në një rast të dyshuar kërcënimi ndaj tij personal, ai paraqitet pa asnjë hezitim. Ai e përdor hapësirën publike për t’u shfaqur si viktimë, duke fituar kapital politik nga pozita e të kërcënuarit”, u shpreh Krasniqi.

Ai shtoi se Kurti refuzon të bashkëpunojë me organet e drejtësisë kur thirret për raste që mund të dëmtojnë imazhin e qeverisë, ndërsa përdor hapësirat publike për t’u shfaqur si viktimë kur rasti i shkon për shtat.

“Kurti shpesh është paraqitur si kampion i luftës kundër korrupsionit dhe si lider që synon ndërtimin e një shteti të së drejtës. Veprimet e tij ndaj thirrjeve të organeve të drejtësisë po ngrejnë pikëpyetje serioze mbi koherencën e këtij imazhi. Kur Prokuroria e thërret për të dëshmuar në një rast të dyshuar korruptiv, ku qeveria ose njerëz të afërt me pushtetin mund të jenë të përfshirë, Kurti refuzon të paraqitet”, tha ai.

Sipas Krasniqit, kjo sjellje i dërgon një mesazh të rrezikshëm qytetarëve dhe institucioneve.

“Duke vepruar kështu, Kurti nuk i dërgon mesazh vetëm qytetarëve, por edhe vetë sistemit të drejtësisë: se prokuroria mund të shpërfillet pa pasoja, se ligji është i detyrueshëm vetëm kur nuk prek të fuqishmit, dhe se politika mund ta instrumentalizojë drejtësinë për narrativë”, deklaroi Krasniqi.

Juristi e cilësoi këtë qasje si të papranueshme për një vend që synon ndërtimin e një shteti ligjor.

“Nëse Kosova synon të ndërtojë shtet ligjor funksional, ky model sjelljeje është jo vetëm i papranueshëm, por edhe i rrezikshëm. Nuk mjafton të flasësh për drejtësi, duhet ta respektosh atë në mënyrë të barabartë, qoftë kur të akuzojnë, qoftë kur të mbrojnë”, përfundoi Krasniqi për “Front Online”.

Çka thuhet në aktakuzë?

Prokurori i rastit e lexoi aktakuzën që në fillim të seancës.

Sipas saj, Faton Klinaku akuzohet se më 29 gusht 2023, në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim që ta frikësonte dhe detyronte tani të dëmtuarin, Albin Kurti, në cilësinë e tij si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e kishte kanosur publikisht përmes rrjetit social Facebook, duke postuar shkrime kërcënuese.

“Aq shumë i dëshpëruar votuesi i tij sa që tha: Votën ia dhashë për ndryshim, e ndryshim lëre që nuk ka bërë por po shkojmë edhe më shumë teposhtë si vend dhe s’ka mbetur tjetër gjë pos me ikë jashtë. I thashë: As se kam votu, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk kam pritur nga ai, e sa i përket daljes jashtë, më parë e vras Albin Kurtin se sa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova. Kosovën nuk duhet e as që guxojnë ta lëshojnë ata që kanë luftuar për të”, citohet të ketë shkruar Klinaku në Facebook.

Ndërsa, pas reagimeve të opinionit publik lidhur me këtë kërcënim, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Klinaku më 30 gusht 2023 ka përsëritur një shkrim po ashtu me përmbajtje të njëjtë kërcënuese ndaj tani të dëmtuarit Kurti.

“Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras Albin Kurtin sesa ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”, citohet në aktakuzë të ketë shkruar Klinaku.