Mbetjet e luftës të mbetura në Komunën e Junikut tashmë edhe zyrtarisht janë pastruar përfundimisht.
Kryetari i kësaj komune, Ruzhdi Shehu ka thënë se sot është përmbyllur një proces jetik për sigurinë dhe të ardhmen e Junikut.
Ai ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zvicrën, për këtë projekt.
“Me përkushtimin e jashtëzakonshëm të organizatës HALO Trust dhe mbështetjen e çmuar të partnerëve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zvicrës, arritëm të pastrojmë zonat e prekura nga mbetjet e luftës, një plagë e heshtur që për vite me radhë ka rrezikuar jetën e qytetarëve tanë”.
“Isha i nderuar që në këtë ngjarje të rëndësishme të kemi praninë e përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë, përfshirë të ngarkuarën me punë të ambasadës Amerikane në Kosovë znj. Anu Pratipati dhe ambasadorin e Zvicrës në Kosovë z. Jürg Sprecher, si dhe shumë partnerë e bashkëpunëtorë që kontribuan në këtë arritje të madhe”, thuhet në postimin e Shehut në Facebook.
Kryetari i kësaj komune ka thënë se hapësirat që dikur përbënin rrezik janë kthyer në vende të sigurta për jetën, zhvillimin dhe të ardhmen e komunitetit.
“Sot, nga zonat kufitare në Bjeshkët e Junikut e deri në zemër të qytetit, hapësirat që dikur përbënin rrezik janë kthyer në vende të sigurta për jetën, zhvillimin dhe të ardhmen e komunitetit tonë. Besoj fuqishëm se çdo hapësirë e pastruar është një hap më shumë drejt sigurisë, drejt besimit dhe drejt një të ardhmeje më të mirë për secilin qytetar të Junikut.
Junik më i sigurt sot, për një të ardhme më të ndritur nesër”, ka thënë Shehu.










