Julio González ishte një futbollist i ri nga Paraguaji, që përmbushi ëndrrën e fëmijërisë, të bëhej profesionist. U rrit mes fushave të futbollit dhe pasionit të trashëguar nga babai. Bashkë me vëllezërit e tij e bënë realitet këtë pasion.
I transferuar në Itali në moshën 19-vjeçare, Julio kaloi përmes vështirësive, por u përshtat dhe shkëlqeu me Vicenzën në Serie B, aq sa kishte kontratë gati me Romën e Tottit dhe De Rossit. Ndërkohë, me përfaqësuesen olimpike të Paraguajit fitoi medaljen e vetme të vendit të tij, duke mposhtur Italinë e Pirlos dhe Chiellinit në gjysmëfinale.
Në prag të pushimeve të fundvitit 2005, një aksident rrugor i ndryshoi jetën përgjithmonë. Ai humbi njërin krah dhe bashkë me të, edhe mundësinë për të luajtur futboll profesionalisht. “Dita e aksidentit ishte më tmerrshmja e jetës sime”, – thotë sot Julio.
Jo për dhimbjen fizike, por sepse i ndërpreu pasionin e madh për futbollin, e çoi drejt një rifillimi tjetër të diktuar të jetës. Ai u përpoq të rikthehej në fushë, luajti për pak kohë në Paraguaji, por vështirësitë fizike dhe një frakturë tjetër e bënë të tërhiqej.
Megjithatë, Julio nuk u dorëzua. Filloi të trajnojë fëmijët dhe hapi një shkollë futbolli. Atje u kujdes për fëmijë jetimë dhe birësoi njërin prej tyre, Moises, i cili sot drejton akademinë dhe i ka dhuruar edhe një nip. Për González, kjo është dhurata më e madhe që jeta mund t’i jepte.
Të dielën u kthye në Vicenza, ku u prit me dashuri nga tifozët. Aty do të punojë me të rinjtë, duke iu treguar se në jetë ka gjithmonë një mundësi të dytë. “Nuk jam këtu që dikush të dorëzohet. Jam këtu për t’i ndihmuar fëmijët që merren me futboll të kuptojnë se çdo vështirësi është një mësim, jo një fund”. Dhe për këtë, nuk ka mësues më të mirë se Julio González.
The post Julio González, historia e futbollistit me një krah të humbur. Jeta rifilloi pas asaj tragjedie appeared first on Telesport.