Julian Assange padit Fondacionin Nobel: “Çmimi i Paqes po shndërrohet në instrument lufte”

Kallëzimi ka lidhje me vendimin e Komitetit Norvegjez për dhënien e Çmimit Nobel për Paqen 2025 për lideren venezuelase të opozitës, María Corina Machado.

Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, ka depozituar sot një kallëzim penal në Suedi kundër 30 individëve të lidhur me Fondacionin Nobel, përfshirë drejtuesit e tij, duke i akuzuar për keqpërdorim të fondeve, lehtësim të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, si dhe financim të agresionit.

Kallëzimi ka lidhje me vendimin e Komitetit Norvegjez për dhënien e Çmimit Nobel për Paqen 2025 për lideren venezuelase të opozitës, María Corina Machado.

Assange argumenton se dhënia e këtij çmimi bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me testamentin e Alfred Nobelit, i cili kërkon që çmimi t’u jepet atyre që kontribuojnë në “paqen mes kombeve, reduktimin e ushtrive dhe promovimin e kongreseve të paqes”.

Sipas kallëzimit, veprimet e Machado-s, përfshirë nxitjen e përshkallëzimit ushtarak nga administrata e SHBA-ve në Karaibe dhe mbështetjen e sulmeve mbi anijet civile, e bëjnë atë të papërputhshme me kriteret e Nobelit për Paqen.

Assange thekson se përshkrimi i situatës përfshin operacionin më të madh ushtarak amerikan në Karaibe që nga Kriza e Raketimeve Kubane, me mbi 15 mijë forca, përfshirë anijen aeroplanmbajtëse USS Gerald R. Ford, dhe veprime të tjera që mund të jenë kontribuar në vrasje jashtëligjore.

Kallëzimi kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet suedeze, duke përfshirë:

  • Ngrirjen e menjëhershme të 11 milionë koronave suedeze të çmimit dhe rikthimin e medaljes.
  • Hetim penal ndaj drejtuesve dhe anëtarëve të Fondacionit për keqpërdorim, lehtësim të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.
  • Sekuestrimin e dokumenteve, email-eve, komunikimeve të grupit dhe të dhënave financiare.
  • Intervistimin e drejtuesve të Fondacionit, përfshirë Astrid Söderbergh Widding dhe Hanna Stjärne.
  • Referim të mundshëm të çështjes në Gjykatën Penale Ndërkombëtare sipas Nenit 25(3)(c) të Statutit të Romës.

Assange argumenton se çmimi nuk mund të përdoret për të lehtësuar apo nxitur luftën, duke vënë theksin se Fondacioni Nobel ka përgjegjësi ligjore për të siguruar që fondet dhe shpërblimet të përmbushin qëllimin e tyre origjinal për paqen dhe jo për agresion.

Kallëzimi përfshin edhe dëshmi të organizatave të pavarura dhe ish-laureatëve të Nobelit, të cilët kanë kundërshtuar publikisht dhënien e çmimit Machado-s, duke e konsideruar atë të papërshtatshme për një laureate paqeje.

Ky zhvillim rihap debatin mbi neutralitetin dhe qëllimin origjinal të Çmimit Nobel për Paqen, ndërsa autoritetet suedeze do të vendosin mbi ngrirjen e fondeve dhe hetimin penal.