“Ju lutem bëjeni – menjëherë”, një aeroplan pasagjerësh i afrohet rrezikshëm Air Force One

Një aeroplan pasagjerësh iu afrua rrezikshëm avionit Air Force One të Presidentit të ShBA-së Donald Trump, gjatë rrugës për në Britaninë e Madhe.

Siç raporton Blick, avioni ishte një i linjës Spirit Airlines. Aeroplani gjigant Boeing 747 i presidentit po fluturonte mbi Nju Jork kur avioni Spirit iu afrua vetëm pak miljesh avionit presidencial, transmeton Klankosova.tv

Kontrollorët e trafikut ajror menjëherë u dhanë udhëzime pilotëve të avionit të pasagjerëve të ndryshonin kursin. Një fragment i trafikut të dyshuar në radio po qarkullon aktualisht në X.

Zëri i operatorit të radios më pas u bë më i lartë. “Ju lutem bëjeni – menjëherë!”

Pas disa minutash, pilotët më në fund reaguan dhe rreziku u shmang, me kontrollorin e trafikut ajror që e paralajmëroi ekuipazhin të ishte i kujdesshëm në të ardhmen.

Trump dhe shoqëruesit e tij më në fund arritën të zbarkonin shëndoshë e mirë në Britaninë e Madhe. Presidenti i SHBA-së është aktualisht në një vizitë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar me gruan e tij, Melania.