Jonuz Salihaj: Shkarkimi im ka ardhur nga Brahim Mehmetaj dhe klika e tij me probleme mentale

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, me kërkesë të partnerit të koalicionit (AAK)
dje ka liruar nga detyra, drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë, Jonuz Salihaj.

Sipas një kumtese për media, Jonuz Salihaj u shkarkua nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, për shkak të përformancës së tij të dobët.

Por një gjë të tillë e ka mohuar Jonuz Salihaj për Ballkani.info, duke thënë se për shkarkimin e tij nuk e ka marrë asnjë arsyetim, dhe se në komunë nuk kishe ardhur për t’i shërbyer grupit të Brahim Mehmetaj por për t’i shërbyer Arsimit në këtë komunë.

“Këtë gjë e ka bërë një individ, pra është Kryetari i tanishëm i Degës së AAK-së, nuk kam pranuar kurrfarë vendimi, nuk ka pasur kurrfarë arsye, pra ka qenë krejtësisht e kurdisur nga Brahim Mehmetaj dhe klikës së tij, disa njerëz që kanë probleme mentale, unë nuk kam ardhur në komunë për me i shërby klikave të tij por me i shërbye arsimit, dhe kom prit që kanë me reagu kryesia qendrore por nuk ka reagu. Këtu nuk e fajësoj Shpend Ahmetin këtu fajtor është grupi i Aleancës. Ky është vendim ilegalë që e ka marrë dega, kom mendu që do të reagoj partia, partia ka mekanizma me reagu, por nuk ka reagu ” ka thënë Salihaj për Ballkani.info.

Kujtojmë se në muajin nëntor të vitit 2018, Shpend Ahmeti ka shkarkuar nga detyra dy drejtorë, Nora Kelmendin nga Drejtoria e Kadastrit dhe Arben Vitinë nga Drejtoria e Shëndetësisë, të dy anëtarë të Vetëvendosjes. E pas shkarkimit të tyre, pati dhënë dorëheqje Yll Rugova, nga Drejtoria e Kulturës.

Me lirimin nga detyra të Jonuz Salihajt, aktualisht Komuna e Prishtinës ka mbetur pa drejtor të Drejtorisë së Kadastrit, Kulturës dhe Arsimit, ndërkaq ai i Shëndetësisë është zëvendësuar.