João Félix është pasqyra e krizës së Milanit, një skuadër që vazhdimisht ndodhet në kërkim të një identiteti. Pasi magjepsi publikun e “San Siros” me paraqitjen në Kupën e Italisë kundër Romës, sulmuesi portugez e ka humbur gradualisht shkëlqimin, deri në përfundimin e tij në stol kundër Lazios. Sinjal i qartë se edhe durimi i Sergio Conceiçãos, një nga mbështetësit e tij më të mëdhenj, është drejt fundit.
Faktikisht, Félix ishte një pikë fikse në formacionin kuqezi, duke luajtur në të gjitha (7) ndeshjet që kishte në dispozicion. I dëshiruar fort nga klubi, aq sa u arrit një marrëveshje në orët e fundit të merkatos dimërore, 25-vjeçari nga Viseu është “shuar” gradualisht, duke marrë me vete të gjithë skuadrën, e cila shpresonte te “këmbët e tij të buta” për të sjellë pak qetësi në një sulm të mbushur me eksperimente të vazhdueshme që nga fillimi i sezonit.
Pavarësisht përpjekjeve të ndryshme të Conceiçãos, nga pozicionimi si sulmues i dytë në skemën me “katër yje” te përdorimi si trekuartist, ai pothuajse kurrë nuk ka arritur të bindë, duke ngritur një pikëpyetje të madhe mbi të ardhmen. Klubi i drejtuar nga Gerry Cardinale po vlerëson me kujdes paraqitjet e tij dhe mundësia për të mos e blerë përfundimisht nga Chelsea në fund të sezonit është më se reale.
Kështu, mund t’i thuhet lamtumirë rinovimit të mundshëm të huazimit, një hipotezë e përmendur në fillim të shkurtit, aq më tepër blerjes përfundimtare. Një lamtumirë pa keqardhje, duke pasur parasysh edhe ndryshimin e mundshëm në pankinë, që do ta largonte të asistuarin e Jorge Mendes nga ekipi kuqezi.
Ndër të tjera, një nga arsyet e rënies së Tijani Reijnders, i cili me depërtimet e tij ishte bërë një nga mesfushorët më produktivë në Europë, është pikërisht nevoja për t’i gjetur vend në formacionin kuqezi João Félix-it. Në këtë pikë, pyetja e vërtetë është: A mund të bëhet João Félix një aset për Milanin deri në fund të sezonit apo do të mbetet thjesht një tjetër zhgënjim?
Një ide e ofroi Riccardo Trevisani gjatë emisionit “Pressing”, ku shprehu mendimin e tij për portugezin: “Duket sikur Milani nuk mund të luajë as edhe një pjesë pa João Félix. Milani ishte nën presion nga Lazio dhe zëvendësimi i Musah me João Félix e bëri ekipin edhe më të paekuilibruar. Ky Milan duket si ‘Harlem Globetrotters’; luan për spektakël, por nuk kanë kurrë një ide të qartë taktike për ekuilibrin në fushë”.