Joao Felix ende një opsion për Milanin – ‘Rossonerët’ planifikojnë takim me agjentin e tij

Raportimet nga Italia pretendojnë se Milani është ende i interesuar për të arritur një marrëveshje me Chelsean për Joao Felix, ani pse ‘Rossonerët’ janë në proces të kompletimit të transferimit të Santiago Gimenez. 

Gjiganti italian pritet të jetë i ngarkuar në ditët e fundit të afatit kalimtar të janarit, ku pasi dërguan një ofertë të përmirësuar për Gimenez, Feyenoordi duket se e ka pranuar atë. 

Përveç prurjeve të reja ka pasur lëvizje edhe në aspektin e largimeve, ku Alvaro Morata dhe Francesco Camarda janë transferuar diku tjetër në formë huazimi. 

Sidoqoftë, këtë të premte u raportua në Itali se Milani po e shqyrton ende mundësinë e transferimit të Joao Felix.

Sipas raportimeve nga gazetari Alfredo Pedulla, agjenti i njohur Jorge Mendes, i cili përfaqëson Joao Felix e po ashtu edhe trajnerin Sergio Conceicao, është momentalisht në Itali dhe pritet të takohet me përfaqësuesit e Milanit.

Pedulla raporton se Mendes është në Torino për ta përcjellë djalin e tij duke luajtur një ndeshje futbolli, dhe pastaj do të flas me Milanin për mundësinë e transferimit të Joao Felix para mbylljes së afatit kalimtar.