Joan Laporta befason me premtimin e tij, nëse do rizgjidhet president i Barcelonës

Vitin e ardhshëm do ketë zgjedhje presidenciale te Barcelona. Joan Laporta do rikandidojë dhe deri tani konsiderohet si fituesi i sigurt. Presidenti aktual i Barcelonës ka filluar që tani fushatën zgjedhore dhe premtimi më i bujshëm është që vitin e ardhshëm klubi katalanas do transferojë të paktën një yll botëror që kushton mbi 100 milionë euro.

Në krye të listës së tij të prioriteteve është Erling Haaland, një dëshirë e vjetër e Laportës. Edhe pse më shumë duket një premtim bosh, duke ditur që Manchester City do të kërkonte të paktën 200 milionë euro për ta lënë të lirë norvegjezin, shifër shumë e vështirë për t’u përballuar nga Barcelona.

Megjithatë, Haaland nuk është opsioni i vetëm që Laporta po shqyrton. Pista B është Julian Alvarez, për të cilin është përfolur edhe gjatë kësaj vere për interesimin e Barcelonës. Laporta premton se është i gatshëm të paguajë 100 milionë euro për të sjellë në “Camp Nou” sulmuesin argjentinas. Por, sërish duket një transferim shumë i vështirë, pasi Alvarez është pikë kyçe e projektit të Diego Simeone-s dhe vështirë se Atletico Madrid do heq dorë prej tij.

Opsioni i tretë, që është më i mundshëm se dy të parët, është Bradley Barcola. Edhe pse klubi parizien po punon për të zgjatur kontratën e tij, interesi i Barçës mund ta ndryshojë situatën. Tarifa e transferimit vlerësohet të jetë rreth 80 deri në 100 milionë euro.

The post Joan Laporta befason me premtimin e tij, nëse do rizgjidhet president i Barcelonës appeared first on Telesport.