Jo vetëm Konate, Perez “siguron” edhe transferimin e dy yjeve të tjerë falas në verën e vitit 2026

Tashmë është bërë traditë të themi që Real Madrid siguron transferimin e yjeve të mëdhenj, por falas. Rasti më i fundit është ai Alexander Arnold, që erdhi këtë verë te madrilenët si lojtar i lirë.

Florentino Perez “fanatik” i këtyre lëvizjeve, ka identifikuar 3 emrat e mëdhenj që pritet t’i bashkohen Real Madridit verën e vitit ardhshëm, falas. I pari dihet që është Ibrahima Konate. Francezi ka refuzuar ofertat e vazhdueshme të Liverpool-it për rinovim të kontratës dhe ka zgjedhur të vazhdojë karrierën te Real Madrid.

Xabi Alonso e donte qendërmbrojtësin francez që këtë verë, por Liverpool kërkoi 50 milionë euro, shifër shumë e majme, duke ditur që lojtari mund të vijë pas një viti falas. Dy yjet e tjerë për të cilët drejtuesit e Real Madrid kanë nisur që tani nga puna për të siguruar “firmën” e tyre verën e ardhshme janë Dayot Upamecano dhe Gianluigi Donnarumma. 27-vjeçari francez i Bayern Munich ka refuzuar deri tani rinovimin e kontratës me bavarezët dhe transferimi falas te Real Madrid shihet si një mundësi e mirë për të.

Surpriza quhet Gigio Donnarumma. Italiani nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët me PSG-në për rinovimin e kontratës. Ai ka kërkuar rritje rroge, ndërsa drejtuesit e klubit francez i kanë ofruar rionovim kontrate me rrogën aktuale. Si kundërpërgjigje e mos rinovimit të kontratës nga ana e Donnarumma-s, PSG ka siguruar shërbimet e portierit të Lille, Lucas Chevalier. Zyrtarizimi i 23-vjeçarit është çështje orësh. Perez e sheh Donnarummën si zëvendësuesin ideal të Thibaut Courtois, belgu është në perëndim të karrierës, duke ditur që verën e ardhshme do të jetë 34 vjeç.

The post Jo vetëm Konate, Perez “siguron” edhe transferimin e dy yjeve të tjerë falas në verën e vitit 2026 appeared first on Telesport.