Jo vetëm futboll…; krejt shqiptaria përulet para modelit fitues të Shkëndijës së Tetovës

Nga Alfred LLESHI

Në një kohë kur shumë flasin, por pak ndërtojnë, kur emra të mëdhenj harxhojnë miliona për rezultate minimale, një klub shqiptar po e bën ndryshimin me vepra. Shkëndija e Tetovës, pa zhurmë, pa spektakël mediatik, por me dinjitet dhe përkushtim, po shkruan faqe të arta në historinë e futbollit me rrënjë shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Në një mbrëmje që do të mbahet mend gjatë, kuqezinjtë nga Tetova mposhtën për herë të dytë gjigantin rumun, Steaua e Bukureshtit, këtë herë në shtëpinë e vet, në një stadium të tejmbushur, në zemër të Rumanisë.

Rezultati 2-1 për kuqezinjtë nuk është thjesht një shifër teknike sportive, por akt krenarie kombëtare, një sinjal i qartë se kur shqiptarët ndërtojnë me vizion dhe luajnë me zemër, asgjë nuk është e pamundur.

Një javë më parë Shkëndija e Tetovës fitoi në Shkup 1-0. Mbrëmë triumfoi sërish në transfertë, duke siguruar me meritë jo vetëm vazhdimësinë në rrugëtimin e Champions League, por edhe të paktën fazën e grupeve në “Conference League”. E gjitha kjo, jo me emra të bujshëm, por me shqiptarë të përkushtuar, shumë prej të cilëve dikur të nënvlerësuar nga vetë sistemi ynë.

Shikoni Aleksander Trumcin, ish-lojtar i Bylisit, që mbrëmë dominoi në një sfidë të vështirë europiane. Klisman Cake, që për shumë kohë nuk e pati hapësirën e duhur në Superiore, por sot është shtyllë në mbrojtjen e kuqezinjve tetovarë.

Liridon Latifin, dikur simbol i Skënderbeut, që shënoi golin e barazimit të përkohshëm (1-1) mbrë,ë dhe tregoi se klasi nuk tretet. Ilustrues mbetet edhe rasti i Arbin Zejnullai, që nuk gjeti vazhdimësi tek Egnatia, por u kthye te tetovarët e meritokracisë dhe profesionalizmit të lartë.

Ky nuk është thjesht sukses i një klubi, por mesazh për të gjithë botën shqiptare: kur besojmë te vetja, kur investojmë me mençuri dhe jo me klientelizëm, kur përzgjedhim profesionistë dhe jo servile në drejtim, shqiptarët arrijnë majat. Shkëndija po e bën këtë; po sfidon realitetin, po i përfaqëson me nder shqiptarët në Kupat e Europës dhe po i jep identitet një kombi që prej kohësh ka pritur një dritë në futbollin europian të klubeve.

Ndërkohë që klubet në Shqipëri shpesh bien pre e interesave të ngushta, ku projektet prishen më shpejt se sa ndërtohen, Shkëndija është bërë model. Model i një ndërtimi të qëndrueshëm, me rrënjë të forta kombëtare, ku flamuri kuqezi nuk është dekor, por frymëzim dhe motivim.

Ky është futbolli që na përfaqëson. Ky është imazhi që duam të shohim në Europë. Dhe për aq kohë sa klubet e Superiores e braktisin meritokracinë, Shkëndija do të mbetet feneri që ndriçon rrugën për të gjithë. Ajo po na përfaqëson me guxim, me krenari dhe me profesionalizëm.

Në fushat e blerta, ku fiton zemra dhe identiteti, Shkëndija është shqiptaria që duam të jemi. Faleminderit që na bëtë të ëndërrojmë! Bravo, kampionët kuqezinj të Tetovës dhe mbarë shqiptarisë!

The post Jo vetëm futboll…; krejt shqiptaria përulet para modelit fitues të Shkëndijës së Tetovës appeared first on Telesport.