Nga 27 marsi Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se “qytetarë të thjeshtë” kanë marrë vendime ekzekutive shtetërore – kjo referuar anëtarëve të Qeverisë në Detyrë të Vetëvendosjes të cilët, me t’u certifikuar rezultatet zgjedhore nga KQZ, janë certifikuar si deputetë.
Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për Qeverinë (që e ka shkruar vetë Vetëvendosja) nuk lejon bartjen e dy pushteteve: atë të pushtetit ekzekutiv (anëtar qeverie) dhe legjislativ (deputet): ndërkaq Albin Kurti me nëntë ish-ministra tjerë të partisë së vetë të certifkuar edhe deputetë, vazhdon të ushtrojë që të dyja pushtetet.
Lidhja Demokratike e Kosovës sot para prokurorisë deponon kallëzim penal për të gjithë anëtarët e qeverisë që vazhdojnë të ushtrojnë pushtet ekzekutiv të betuar edhe si deputet, për secilin vendim të marrë nga 27 marsi e këndej. Që të gjitha, pretendojnë ata, janë të kundërligjshme dhe anitkushtetuese.
LDK kishte paralajmëruar kallëzimet penale para mëse dy jave: ditën kur edhe zyrtarisht dhjetë anëtarë qeverie të Vetëvendosjes ishin betuar edhe si deputet në Kuvendin e Kosovës, kur pa asnjë mëdyshje finalizohej nisja e mandatit të atyre si deputetë.
Por, për më tepër, Albin Kurti – argumentojnë LDK – ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore edhe po të kishte qenë Kryeministër në detyrë: siç pretendon të vazhdon të jetë ende.
Nacionale merr vesh se krahas kontestimit të vendimeve, sipas tyre të kundërligjshme të Albin Kurtit, në kallëzimin penal që do të dorëzojnë kanë përfshirë edhe “keqpërdoriin e pasurisë, shërbimeve apo personelit qeveritarë në posedim si rezultat të punës së mëhershme si kryeministër”.
Kjo sipas LDK, bën që Albin Kurti me ish-ministrat e vet kanë konsumuar edhe këtë vepër penale të sanksionuar në Nenin 414 për Keqpërdorim të Pozitës apo Autoritetit Zyrtar.
Kësisoji, siç mëson Nacionale, LDK-ja shtron se nuk janë vetëm veprimet ekzekutive të Albin Kurtit që përbëjnë vepër penale, por edhe keqpërdorimi i pasurisë, shërbimeve apo personelit qeveritarë “që është në posedimin e tij si rezultat i punës së tij”.
“Rrjedhimisht duke mos u larguar për asnjë moment nga institucioni i Zyrës së Kryeministrit dhe duke vazhduar të gjithë pasurinë, shërbimet apo personelin qeveritarë në posedimin si rezultat t punës së mëhershme si kryeministër, ka konsumuar edhe elementin e katërt të kësaj vepre penale”.
Çka kishin thënë nga LDK?
Pasi dorëheqjet e ish-anëtarëve të Qeverisë të zgjedhur deputetë u evidentuan si faktike në raportin e Komisionit Verifikues të Mandatave të deputetëve – LDK njoftoi se do të ngrejnë kallëzime penale për çdo vendim që anëtarë të Qeverisë të zgjedhur edhe deputetë, kanë marrë që nga 27 marsi.
“Nga data 27 mars qytetarë të thjesht kanë marrë vendime në ndërtesat e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe LDK do të e çojë këtë çështje fillimisht me kallëzim penale dhe pastaj do të shohim për trajtim në kushtetuese”, pati thënë Hykmete Bajrami para gazetarëve me të kaluar raporti i Komisionit Verifikues.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës synojnë të dëshmojnë që çdo vendim i marrë nga ish-anëtarë të qeverisë në detyrë, Albin Kurti (etj.) është i pavlefshëm, nëse jo në përmbajtje: në procedurë.
“Çdo veprim i kryeministrit dhe ministrave të rizgjedhur deputetë, te cilët sot dhanë betimin, nga dita e certifikimit e tutje, është i kundërligjshem”.
Kështu pati thënë edhe Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, pyetur rreth sfidimit të LDK-së ndaj vendimeve të marra nga Kurti dhe pjesëtarë të kabinitetit të vet qeveritar të zgjedhur deputet.
“LDK do t’i pregadisë të gjitha kallëzimet penale të nevojshme dhe t’i dorezojë në prokurori, për kundërligjshmerinë e veprimeve të paautorizuara të ish kryeministrit dhe ministrave te cilët në cilesinë e deputetëve të certifikuar, kanë ndërmarrë veprime ekzekutive në kundershtim me ligjin”, pati thënë mes tjerash ajo./Nacionale