Kanë mbetur edhe pak javë prej kur qytetarët e Kosovës do të duhet të llogarisin mirë shpenzimet e energjisë-elektrike, pasi pagesat për faturat e këtyre shpenzimeve do të jenë më të larta.
Anipse nga ZRrE-ja si fillim është thënë se rritja e çmimit të faturave të rrymës do të jetë 15%, ka gjasë që kjo shifër të rritet edhe më tepër.
Madje siç raportohet propozimi për shtrenjtimin e çmimit të faturave të energjisë-elektrike për 15% është përqindja minimale që do të thotë se se rritja e çmimit do të mund të jetë edhe më e lartë.
E në pikëpyetje mbetet nëse këto fatura do të hyjnë në funksion që nga fillimi i prillit apo në maj – kjo për shkak të komenteve dhe sugjerimeve të shumta që ka pranuar ZRrE-ja.
E në lidhje që rritja e çmimit të rrymës të jetë edhe më e lartë nga ZRrE-ja thanë se raportet e publikuara nga ta kanë analiza të detajuara dhe përfundime të sakta dhe se nuk komentojnë raportimet që nuk janë pjesë e raporteve.
“Raportet e publikuara për konsultim përmbajnë analiza të detajuara dhe përfundime të sakta mbi Hyrat Maksimale të Lejuara, dhe ato janë dokumente zyrtare që ndjekin procesin e përpiktë dhe transparent të rregullimit të çmimeve. Ne nuk komentojmë raportimet që nuk janë pjesë e raporteve zyrtare të publikuara nga ZRRE-ja”,thuhet në përgjigjen e ZRrE-së për lajmi.net.
Po ashtu nga ZRrE-ja për lajmin thanë se çdo rritje e mundshëm e çmimit të energjisë-elektrike do të bazohet në analizat dhe përfundimet e raportuara në dokumente zyrtare përkatëse.
“Çdo rritje e mundshme e çmimit të energjisë elektrike do të bazohet në analizat dhe përfundimet e raportuar në dokumentet zyrtare përkatëse. Çdo spekulim mbi një rritje më të madhe se sa ajo që është e parashikuar në raportet zyrtare është i paqartë dhe nuk ka asnjë bazë të vërtetuar. Ne i referohemi vetëm informacionit që është pjesë e këtyre raporteve”,u tha tutje.
Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë (ZRRE) njoftoi ditë më parë se ka propozuar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind muajin e ardhshëm.
ZRrE gjithashtu bëri të ditur se komentet dhe sugjerimet do të pranohen deri sot, më 28 mars, para se bordi i saj të marrë vendim përfundimtar për shtrenjtimin e rrymës.
Javë më parë, tri kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë i kërkuan rregullatorit të energjisë rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOST], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.
Kreu i ZRrE-së, Ymer Zejnulalhu tha se nëse një qytetar ka paguar një faturë mujore 50 euro pas ngritjes së çmimit në 15%, fatura do bëhet 58 euro.
Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind.
Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.
Rritja e çmimit të rrymës për kosovarë do të jetë dehe një vështirësi më tepër. Përpos çmimeve tejet të larta në produktet ushqimore, higjienike, në ngrohje e gjithçka tjetër – energjia elektrike dhe çmimi i saj i lartë veçse e bën edhe më të pajetueshme jetën e tyre në Kosovë./Lajmi.net/