Ministrja e re e Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila në një intervistë të rrallë në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, është zënë ngushtë kur është pyetur se cilat kanë qenë investimet kapitale të qeverisë së Albin Kurtit që prej vitit 2021 kur erdhi në pushtet e deri më tani.
Tek ka përmendur projekte rrugore, Kusari-Lila nuk ka qenë në gjendje të tregojë për një projekt konkret e në përgjigje e pranoi se nuk ka filluar asnjë punë. Edhe Kusari-Lila, si shumica e zyrtarëve të qeverisë Kurti, fajin e ka hedhur te projektet e qeverive të mëhershme.
“Ka pasur projekte kapitale, investime, në infrastrukturën rrugore në gjitha komunat ka pasur”, ka thënë Kusari-Lila pa ofruar diçka konkrete.
“Kemi pasur avancimin ma të madhin në këtë qeverisje me projekte rrugore, kanë qenë projektet për autostradën autostradën për Mitrovicë, jo s’është filluar, fatkeqësisht, në fakt ka qenë në vitin 2009, është dashur të ndërpritet kontrata, e njëjta ka qenë edhe me autostradën për Podujevë”, e ka pranuar ajo.
Ajo përsëri është pyetur për projekte konkrete teksa ka përmendur çerdhet.
“Unë i konsideroj projekte madhore edhe ndërtimin e çerdheve, investimet në efiçiencë të energjisë”, është përgjigjur ajo.









