Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili aktualisht gjendet në Washington D.C., ka falënderuar asamblistët e Kryeqytetit që votuan pro buxhetit për vitin 2026.
Përmes një postimi në Facebook, ai tha se miratimi i buxhetit të Kryeqytetit është imazhi më i qartë se si funksionon demokracia kur asamblistët janë aty për të ndërtuar e jo për të bllokuar, për të marrë përgjegjësi e jo për të sabotuar.
“Kjo është diferenca mes politikës të së kaluarës, që e mbante Kryeqytetin peng, dhe qeverisjes që zgjedh të ecë përpara me vizion, guxim dhe vendimmarrje”.
“Kjo mendësi është themeli i zhvillimit”, u shpreh Rama.
Ai tha se vetëm atëherë kur institucionet çlirohen nga kultura e bllokadës, “hapet rruga për planifikim serioz, investime strategjike dhe projekte që prekin jetën e qytetarëve”.
“Sot, si Kryeqytet, kemi kënaqësinë dhe përgjegjësinë politike të flasim për zhvillim urban, mirëqenie dhe të ardhme, e jo për sabotime, kriza artificiale dhe interesa të ngushta partiake. Ky buxhet nuk është thjesht një dokument financiar. Është deklaratë politike. Është mesazh i qartë se Prishtina ka zgjedhur qeverisjen demokratike, përgjegjësinë, të ardhmen”, potencoi kreu i Kryeqytetit.
Ai shprehu mirënjohje për asamblistët e Kryeqytetit, por edhe për qytetarët e Prishtinës, të cilët, sipas tij, “me votën e tyre kanë zgjedhur përfaqësues që e kuptojnë mandatin si detyrim për shërbim publik, për vendimmarrje të përgjegjshme dhe për ndërtimin e së ardhmes së qytetit”.










