“Populli kërkoi që serbët, para së gjithash në Veriun e Kosovës, të largohen nga institucionet”, tha Dallibor Jevtić, nënkryetar i Listës Serbe.
“Presidenti Aleksandar Vuçiq atëherë kishte thënë se kjo nuk ishte një vendim i mençur”, ka thënë.
“Ne kemi biseduar disa herë për temën e largimit nga institucionet dhe kemi thënë se kjo ishte padyshim një vendim i gabuar”, ka thënë Jevtiqi për Euronews, me qëllim të fshehjes së gabimit politik të liderit të tij suprem.
Ai gjithashtu shton:
“Po, atëherë vendimi u mor, le ta them më thjesht, kështu që qytetarët, pra populli, kërkuan që serbët, para së gjithash në Veriun e Kosovës, të largohen nga institucionet”.
Ai pretendon se ka qenë i pranishëm në disa takime të tilla. Kjo, sipas tij, ishte arsyeja për marrjen e vendimit.
“Ky ishte vërtet shkaku për të cilin u mor vendimi, megjithëse atëherë presidenti Vuçiq tha se kjo nuk ishte një vendim i mençur”, ka pretenduar Jevtiq.
“Unë ende e kujtoj pyetjen e tij: Çfarë do të bëni një ditë më pas?’”
Ndryshe, Jevtiqi ishte i ftuar në emisionin e Euronews së bashku me Dragisha Mijaçiq, koordinator i Konventës së BE për kapitullin 35 dhe drejtor i Institutit për zhvillim territorial dhe ekonomik.
Kujtojmë se në nëntor të vitit 2022, pjesëtarët serbë të policisë së Kosovës, gjyqësorit dhe prokurorisë në veri të Kosovës dhanë dorëheqje.
Dorëheqjet e tyre pasuan pas vendimit të Listës Serbe për t’u larguar nga institucionet qendrore të Kosovës./Paparaci.com










