Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, ka kundërshtuar idenë e një qeverie tranzitore, të propozuar nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar si të panevojshme dhe të palogjikshme në rrethanat aktuale politike.
Në një intervistë në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Statovci deklaroi se një qeveri e përbashkët e të gjitha partive politike do ta bënte Kuvendin të paaftë për të ushtruar funksionin e tij mbikëqyrës.
“Lumir Abdixhiku ka ofruar një qeveri të të gjithëve. Ne ishim të mjaftueshëm për të zgjidhur secilin proces në vend. Besoj se edhe me Nismën, në kombinim në hallkën e radhës, ose me mundësinë e zgjerimit, edhe çështja e presidentit do të ishte zgjidhur,” ka thënë ajo.
Sipas Statovcit, bashkëpunimi fillestar me LDK-në ishte menduar të prodhonte një zgjidhje institucionale të plotë, duke eliminuar nevojën për ndërmjetësime apo struktura kalimtare.
“Në idenë fillestare të bashkëpunimit me LDK-në, çështja e institucioneve ishte menduar të zgjidhej në tërësi, sepse ne ishim të mjaftueshëm. Andaj ka qenë e palogjikshme të kundërpropozohet një qeveri e të gjithëve, që në një farë forme i bie të jetë edhe qeveri totalitare. Sepse, nëse është e të gjithëve, kush është mekanizmi që e mban një qeveri të përbërë nga të gjitha partitë politike në llogaridhënie?”, ka përfunduar Statovci.










