Jep dorëheqje drejtori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, pas kallëzimit penal nga Komuna e Prishtinës

Drejtori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Imer Hakaj, ka njoftuar sot, më 7 prill 2025, dorëheqjen nga posti i tij.

Kjo dorëheqje vjen në kohën kur Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur inicimin e një kallëzimi penal ndaj Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, në lidhje me bllokimin e punimeve në Rrugën “Xhorxh Bush” në kryeqytet.

“Nga sot, beteja do të vazhdojë për drejtësi ndaj të gjithë shkelësve të Ligjit për Trashëgimi Kulturore”, ka shkruar Hakaj, duke shtuar se e mban përgjegjësinë e plotë për veprimet dhe mosveprimet institucionale gjatë mandatit të tij.

Ai theksoi se, si udhëheqës i inspektoratit, ai ka miratuar veprimet përkatëse të inspektimit dhe tani ndjen përgjegjësi të drejtpërdrejtë për mosreagimin në kohë ndaj shkeljeve ligjore të kryera, sipas tij, nga Komuna e Prishtinës.

“Nuk ndalem asnjëherë në angazhimin tim për drejtësi. Nga funksioni zyrtar, njoh vetëm ligjin dhe kurrë grupet e interesave ditore”, theksoi ai, duke paralajmëruar se në ditët në vijim do të publikohen më shumë veprime institucionale.

Hakaj i ka kërkuar ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, që ta pranojë dorëheqjen e tij të menjëhershme.

Kujtojmë se dorëheqja e Hakajt vjen një ditë pas deklaratës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili njoftoi për ngritjen e kallëzimit penal ndaj një inspektori të këtij institucioni, duke e akuzuar për bllokim të projekteve zhvillimore në kryeqytet