“Jemi të paaftë të mbajmë armë” – Ish-hetuesi policor kërkon çarmatimin e të gjithë qytetarëve

Pas tri vrasjeve të fundit në Vushtrri, ish-hetuesi policor Visar Rrecaj ka bërë një thirrje për çarmatosjen e plotë të qytetarëve të Kosovës, duke përfshirë edhe kthimin e armëve që janë dhënë me leje.

“Qytetari i Kosovës duhet të çarmatohet në tërësi, madje konsideroj që duhet të kthehen edhe ato armë që janë dhënë me leje. Nuk jemi të aftë të mbajmë armë, të kthehen armët te zyrtarët shtetëror dhe ne duhet të jetojmë pa armë,” ka deklaruar Rrecaj në emisionin FIVE.

Ai ka theksuar se shteti duhet të fokusohet në ndalimin e importit dhe eksportit të armëve, si me leje ashtu edhe pa leje, për të eliminuar plotësisht qarkullimin e tyre në duart e qytetarëve.

“Sidomos kohët e fundit, domethënë kur jeta shtrenjtohet, ekonomia çrregullohet, inflacioni është i madh, dhe një efekt të vazhdueshëm e kanë edhe rrjetit sociale, sidomos TikToku te moshat e reja. Kanë nxjerrë në pah një sadizëm të paparë të personave të mitur që të kryejnë vepra penale siç është vrasja.  Përgjegjësia nuk është vetëm shtetërore pro edhe shoqërore. Duhet të fillojmë nga edukata, kujdesi prindëror dhe të kalohet të shteti”, ka deklaruar tutje ai.