Të më testojnë a i kam votat.
E diela e fundit e tetorit e gjen Albin Kurtin e Vetëvendosjes në dhomën e përfaqësuesve të popullit për ta zgjedhur qeverinë për të cilën publikut i thotë se ‘i kam votat’.
Sahati kushtetues ka nisur numërimin prapa: ose duhet ta përmbush marrjen e mandatarit ose ta kalojë atë te i dyti me i radhë (po ashtu me gjasa të njëjta).
Deri në 56 duar Albin Kurti i ka pasur më së shumti, pesë më pak se shumica minimale prej 61 për të votuar qeveri: dhe atë qeveri me këmbë të drunjta, nga e cila do të ishte në mëshirën e 11 deputetëve të pakicës jo-serbe dhe tre të Nismës Socialdemokrate.
Tre votat e Nismas Socialdemokrate janë edhe s’janë.
Duda Balje, Veton Berisha dhe Adem Hoxha – mbeten vota të pakorra nga Vetëvendosje, dhe, përveç të pakorra, edhe të pakontaktuara.
“Jo hala nuk më ka kontaktuar kurrëkush”, tha Duda Balje për “Indeksonline”.
Vota e saj ndaj një qeverie të Albin Kurtit “nuk ka ndryshuar”, tha ajo – dhe shtoi që “nuk besoj që kam me ndërru, dhe, ata e dinë shumë mirë”.
As Veton Berisa nga komuniteti egjiptian nuk ka njoftuar të jetë kontaktuar apo të ketë arrirë marrëveshje me Albin Kurtin e Vetëvendosjes.
Për Adem Hoxhën, ky i fundit ka rigravituar te grupi parlamentar i Listës Serbe.
Nisma Socialdemokrate, ka njoftuar se “në qoftë se qeveria mbetet në tre votat tona, i japim” – por, ama ka kërkuar “të sqarohet pozita e Dimal Bashës”.
Matematika s’matematikon premtim për një qeveri të re të Albin Kurtit.
Por, nga Vetëvendosje flasin për “deputetë të caktuar” nga parti ish-opozitare – për çka s’ka pasur asnjë konfirmim.
Emilja Rexhepi nga komuniteti boshnjak, rivale e Duda Baljes, tha se do të votojë qeveri të re nga Albin Kurti, por ama “nuk e di nëse do të formohet”.
“Nuk e di, shpresoj, ne do e votojmë Qeverinë”, tha ajo për Front Online.
Kusari-Lila, mosbesim të madh
Partnerja e ngushtë e Albin Kurtit, Mimoza Kusar-Lila tha se “disa bisedime” veçse janë zhvilluar, por se për këtë duhet të flasë i pari i Vetëvendosjes vetë. Por, sa për partinë e saj, Kusari-Lila tha se duan zgjedhje të reja.
“Unë mund të flasë në emër të Aleternativës, unë them se zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet e reja sepse tashmë është bërë një periudhë e gjatë prej kohës së mbajtjes së zgjedhjeve dhe ka pasur disa ndryshime të cilat kërkojnë ri konfirmim të besimit të qytetarëve por natyrisht për zgjedhje gjithmonë jemi gati”, tha Kusari-Lila ditë më parë.
Mefail Bajqinovci, shpresëdhënës
Qeveria Kurti III bëhet “javën e ardhshme, besoj”, tha Mefail Bajqinovci i Vetëvendosjes në një intervistë për Gazetën Blic.
Bajqinovci tha se “VV nuk zhagit” dhe se do ta bëjë qeveri “me Nismën dhe disa deputetë të caktuar”.
“Nuk dihet s’kemi konfirmim por shumë shpejt, java e ardhshme besoj se s’kemi kur tjetër, deri në të dielën e ardhshme e kemi afatin, mbetet në diskrecion të kryeministrit se kur do të na tregojë t’i bëjmë përgatitjet për seancën solemne”, shton Bajqinovci.
“Është në diskrecion të mandatarit Albin Kurti, i cili do të vazhdojë bisedimet. Opozita dhe deputetët të mos e çojnë vendin në zgjedhje për teke dhe të vazhdohet me qeverisje”, ka theksuar ai.
Kurti, “ende pa bisedime”
Albin Kurti i Vetëvendosjes, tash kur i kanë mbetur edhe 10 ditë deri në numërimin e fundit mbrapsht, tha se nuk ka zhvilluar bisedime me askënd – sepse është “i zënë” me zgjedhjet lokale dhe balotazhin që pason.
Por ama, shtoi ai, “janë edhe më shumë se dhjetë ditë kohë”.
“Tepër shumë punë këto ditë, analiza e rezultateve nga qendrat. Na duhet ta shohim kontributet që kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende që t’i zhvilloj ato komunikime. Por po e bëjmë një plan edhe për këtë gjë. I kemi më shumë se 10 ditë,” tha Kurti.