Java që lamë pas ishte goxha e rëndë për vendin tonë.
Brenda vetëm shtatë ditësh, shtatë jetë u shuan. Shtatë familje u përballën me dhimbjen më të madhe, humbjen e njerëzve të tyre më të dashur.
Pesë prej tyre humbën jetën në aksidente trafiku, derisa dy të tjerë u larguan nga kjo botë në rrethana të tjera tragjike.
E hëna e kaluar nisi me aksidentin e rëndë në Zajm të Klinës ku përplasja mes një kamioni transportues, një kombi dhe një veture, mori jetën e Përparim Dushkollit dhe Veton Kastratit.
Një tjetër aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës ku 77-vjeçari, Selman Luzha, veteran i UÇK-së vdiq si pasojë e plagëve të shkaktuara. Përplasja mes dy veturave ndodhi në fshatin Begrac të Kaçanikut.
Java nuk përfundoi me kaq.
E premtja ishte veçanërisht tragjike për familjen Kelmendi, pasi 15-vjeçari Eldion Kelmendi, vëllai i këngëtarit të njohur Gjesti, humbi jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë në fshatin Treboviq.
Lajmi për vdekjen e tij të parakohshme tronditi mbarë shqiptarinë derisa dhimbja për humbjen e një jete kaq të re u ndje thellë në zemrat e mijëra njerëzve. Në varrimin e Eldionit, mijëra qytetarë u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit, mes tyre familjarë, miq, figura të njohura publike, artistë dhe bashkëmoshatarë.
Në të njëjtën ditë, një burrë humbi jetën në rrethana tragjike në Fabrikën e Ballkanit në Suharekë.
I ndjeri Milit Daka, ishte lënduar aksidentalisht gjatë orarit të punës, me atë që tha policia, nga një pjesë metalike e një vinçi. Ai nuk arriti t’iu bënte ballë plagëve.
Të dielën, pra mbrëmë, edhe dy jetë të tjera u shuan.
Një aksident i rëndë ndodhi në mes të fshatrave Duhël dhe Carralevës, ku si pasojë, një pasagjer i automjetit vdiq në vendin e ngjarjes.
Orët e vona të së dielës nuk u mbyllën me kaq.
Në fshatin Lybeniq të Pejës, trupi i një personi u nxor i pajetë nga një bunar në të cilin i njëjti kishte rënë.
Personi që u nxor nga bunari ishte Albert Pamaj nga Skivjani i Gjakovës.