Java e ardhshme sjell reshje shiu pas një periudhe të thatësirës

Pas një periudhe të gjatë pa reshje, java e ardhshme pritet të sjellë një përmirësim të dukshëm të deficitit të reshjeve që ka vazhduar që nga muaji shkurt.

Reshjet do të jenë të konsiderueshme, kryesisht në formë shiu në viset e ulëta, ndërsa në zonat malore pritet që reshjet të shoqërohen edhe me borë.

Kushtet biometeorologjike dhe agrometeorologjike do të jenë në përmirësim gradual. Megjithatë, në disa zona me infrastrukturë të dobët ekziston mundësia për vërshime të shpejta për shkak të intensitetit të reshjeve, ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës

Era do të jetë e pranishme nga drejtimi jugperëndimor dhe verilindor, me shpejtësi mesatare dhe, lokalisht, të fortë.

E Hënë, 24. Mars 2025

Të  hënë moti do të jetë i vranët dhe me intervale me diell.

Vranësirat vende-vende mund te sjellin riga te dobëta shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 3C deri në 6°C, ndërsa ato maksimale nga 16°C deri në 19°C. Do të fryjë erë nga juglindja me shpejtësi 1-4 m/s.

Ndërsa, të martën parashikohet mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat mund te sjellin riga lokale shiu. Temperaturat minimale do të zbresin nga 4°C deri në 7°C, ndërsa maksimalet nga 15°C deri në 18°C. Era do të jetë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i jugperendimit.

Do të mbajë mot i vranët dhe me kushte për riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 4 °C deri në 7°C, ndërsa maksimalet nga 13°C deri në 16°C. Do të fryjë erë e lehtë dhe lokalisht e fortë nga jugperëndimi,  është parashikimi për të mërkurën.

Të enjten moti parashikohet i vranët dhe me intervale me diell . Vende-vende parashihen kushte për riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 3°C deri në 6°C, ndërsa ato maksimale nga 9°C deri në 13°C. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1-11 m/s.

Të premten, moti do të jetë i vranët dhe me reshje shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 3°C deri në 6C, ndërsa maksimalet nga 7°C deri në 11°C. Era do të fryjë mesatare deri e fortë nga drejtimi i veriperendimit.