Jashari “armiqësohet” me belgët për Milanin, por klubi nuk harron ditëlindjen: Sot 23, urime Ardon!

Ardon Jashari është i vendosur, do vetëm Milanin. Mesfushori i lindur në vitin 2002 ka hyrë në një përplasje të fortë me Club Brugge, duke i bërë të qartë klubit të tij belg se nuk dëshiron më të luajë me fanellën bluzi. Thyerja totale ka ndodhur vetëm pak orë para ditëlindjes së tij të 23-të, por pavarësisht situatës së tensionuar, belgët nuk kanë harruar të bëjnë një gjest njerëzor ndaj lojtarit.

“Sot mbush 23 vjeç, urime Ardon!”  Ky ishte mesazhi zyrtar i Club Brugge në rrjetet sociale, i shkurtër dhe i drejtpërdrejtë, por që tregon një farë elegance nga ana e klubit, pavarësisht “divorcit” që duket i pashmangshëm. Një urim për talentin me rrënjë shqiptare, që tashmë shikon vetëm drejt Milanos për të bërë hapin e madh në karrierë.

Në rrjetet sociale, menjëherë poshtë postimit të Brugges, kanë shpërthyer tifozët e Milanit, me fotomontazhe të Jasharit me fanellën kuqezi. Ëndrra është e qartë, Milani është destinacioni që ai kërkon me çdo kusht.

Megjithatë, negociatat janë ende të bllokuara. Milani ka ofruar 38 milionë euro (përfshirë bonuset), ndërsa Brugges kërkon 40 milionë në total. Diferenca është e vogël, por negociatat nuk kanë përparuar në orët e fundit. Klubi kuqezi mbetet i qetë, duke pritur që presioni i Jasharit ta detyrojë Brugges të ulë paksa pretendimet.

Për Jasharin, ky 23-vjetor është ndoshta më i rëndësishmi i karrierës së tij. Një ditëlindje mes përplasjesh, ofertash dhe ëndrrës kuqezi. Tani, sytë janë te drejtuesit e Milanit për të mbyllur marrëveshjen dhe te Brugges për të mos e penguar më tej dëshirën e një lojtari që ka vendosur: në të ardhmen e tij nuk ka më vend për Belgjikën.

The post Jashari “armiqësohet” me belgët për Milanin, por klubi nuk harron ditëlindjen: Sot 23, urime Ardon! appeared first on Telesport.