“Janë në dorën e Zotit, askush nuk merr përgjegjësi”, 8 punëtorë vdiqën në vendin e punës brenda tre muajve

Rastet e humbjeve të jetës në vendin e punës në Kosovë vazhdojnë të jenë të larta.

Vetëm brenda pak ditëve dy persona humbën jetën në vendin e tyre të punës në ndërtimtari në kuadër të kompanive të ndryshme ndërtuese.

Gjatë javëve që lamë pas dy raste të rënda u raportua se dy persona rreth të 40-ave vdiqën në vendin e punës. Rasti i parë ishte tek objekti i “AlbiMall” në Veternik ku një shtetas i huaj humbi jetën derisa po punonte në atë objekt. Disa ditë më vonë jetën humbi edhe një punëtor tjetër derisa po punonte në ndërtimtari në Veternik.

Përveç se nuk kanë sigurime shëndetësore dhe sigurime jetësore, punëtorët e ndërtimit zakonisht punojnë në këto kompani pa kontrata të punës, pa kushte minimale e duke i lënë ata nën mëshirën e fatit.

Kryetari i Sindikatës të Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi për lajmi.net thotë se këto raste janë alarmuese pasi me rastin e humbjes së jetës, nuk merr përgjegjësi askush për punëtorët, duke i lënë familjarët e tyre në gjendje të rënduar emocionale e ekonomike.

“Sa i përket masave të sigurisë, masa po themi shprehimisht merr vetëm Zoti, përndryshe në momentin kur punëtori humb jetën gjithçka përfundon aty. Nuk merr masa as kompania as shteti. Kemi kërkuar prej kohësh që të kemi një fond për raste të tilla, realisht kur humb jetën punëtori gjithçka përfundon. Ne në shumicën e rasteve bashkë me familjarët përgatisim landën me raportin e inspektorëve dhe e dorëzojmë në gjykatë, por në gjykatë një vendim nuk merret para 5-6 vitesh. Në shumicën e rasteve kur merr kaq shumë kohë, kompania ka mundësinë sepse pronari i kompanisë është më i fortë se ai që ka shkuar te varrezat dhe faktikisht ata dalin fitimtar dhe këto familje mbesin nën mëshirën e askujt”, tha fillimisht ai.

Azemi potencon se kushtet e rënduara ekonomike bëjnë që këta punëtorë të pranojnë kushtet e punës, pasi sipas tij mbi 90% e punëtorëve janë në prag të ulët ekonomik pothuajse në raste sociale.

“90% e rasteve të punëtorëve janë në gjendje shumë të rëndë ekonomike, duke nisur me rastin që ndodhi pardje. Këta punëtorë rrezikojnë jetën e tyre përshkak të gjendjes së rënduar ekonomike.

Po e them me përgjegjësi mbi 90% e rasteve janë pothuajse raste sociale”, shtoi ai.

Tutje, Azemi thotë se shumica e kompanive të ndërtimit nuk i kanë sigurimet shëndetësore dhe as jetësore për punëtorët, teksa shton se disa nga kompanitë tregtare kanë siguruar këto të drejta për punëtorët.

“Nuk kam informacione, kam informacion që kompanitë që merren me tregti kanë, por kompanitë e ndërtimit deri më tani në këto raste përpos që nuk kanë pasur sigurime shëndetësore dhe jetësore pjesa më e madhe e tyre nuk kanë pasur as kontrata të punës”, vazhdoi tutje Azemi.

Azemi potencoi se mesatarisht rreth 17 persona humbin jetën në vendin e tyre të punës duke u bazuar në statistikat nga vitet 2000 deri në vitin 2024, kurse shton se viti 2025 po del të jetë më fatkeq për punëtorët pasi në tremujorin e parë ky vit ka qenë fatal për tetë punëtorë të ndërtimit.

“Asnjëherë që nga viti 2000 nuk kemi pasur një rritje të madhe të rasteve të vdekjes në punë. Mesatarisht që nga viti 2000 deri në vitin 2025, mund të del që mesatarisht 16-17 punëtorë humbin jetën në vendin e punës për një vit. Ky vit ishte viti më fatkeq pasi për tre muaj pa filluar mirë sezoni i ndërtimeve kanë humbur jetën tetë persona dhe këtu kryesisht është faji te pakujdesia e kompanive, normalisht edhe institucioneve që ne i paguajmë”, përfundoi Jusuf Azemi për lajmi.net.

Siguria në punë në aspektin legjislativ në Kosovë, rregullohet me dy ligje në fuqi: Ligjin e Punës dhe me Ligjin për siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës.

Sipas ligjeve në fuqi, punëdhënësi është i detyruar t’i sigurojë kushtet e nevojshme për mbrojtje në punë, me të cilat sigurohet mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të të punësuarve. Po ashtu, punëdhënësi detyrohet ta informojë punëtorin me shkrim para angazhimit të tij, për rreziqet në punë dhe për masat mbrojtëse të cilat obligohet t’i marrë, në të kundërtën, shqiptohen gjoba nga 5,000 deri në 35,000 euro.