“Janë më të afërt me pushtetin…”; Alonso i përgjigjet “thumbimit” të Laportës: Kemi ndjenjë lirie dhe demokracie

“Ne kemi ndjenja të ndryshme”. Kjo ishte përgjigjja e Joan Laportës, presidentit të Barcelonës, në episodin e fundit të video-podcast-it “La Llotja del 125”. I intervistuar nga disa prej anëtarëve më të rinj të klubit, pyetja më delikate ishte ajo që i kërkonte të shpjegonte pse Real Madridi është rivali i madh i Barcelonës.

Laporta u përgjigj: “Ata kanë një ndjenjë më të afërt me pushtetin, ndërsa ne kemi ndjenjën e lirisë. Secili mbron qasjen e vet. Ushqehemi nga ky rivalitet, gjithmonë me respekt institucional. Ne e bazojmë identitetin tonë te futbolli formues dhe prodhojmë talente nga La Masia. Kjo na bën krenarë për atë që jemi. Ne jemi më shumë se një klub”.

Këto fjalë u bënë “virale” në rrjetet sociale, përfunduan edhe në konferencën për shtyp të Xabi Alonso, trajnerit të Real Madridit, në “Lincoln Financial Field”, para ndeshjes së fundit të fazës së grupeve në Kupën e Botës për Klube.

Trajneri bask u përgjigj me shumë diplomaci: “E imagjinoj kontekstin në të cilin e ka thënë, nuk dua të futem atje, por ne me të vërtetë kemi ndjenjë lirie dhe demokracie… Mendoj se edhe ata kanë diçka nga pushteti. Kjo vlen për të dyja palët”.

The post “Janë më të afërt me pushtetin…”; Alonso i përgjigjet “thumbimit” të Laportës: Kemi ndjenjë lirie dhe demokracie appeared first on Telesport.