Avokati Ivan Niniq ka reaguar pas incidentit të rëndë ku pranë makinës së Milan Vukashinoviq u gjetën 23 gëzhoja, duke theksuar se ky fakt tregon për shkallën e lartë të kurthit në të cilin ka rënë viktima. Ndërsa, më 1 nëntor 2025, Policia e Kosovës, ka pranuar një informacion se në zonën e Leposaviqit, një person (M. V.), shtetas i Republikës së Kosovës, (i nacionalitetit serb), dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës, nga xhandarmeria serbe.
Sot, në një postim në platformën X, Niniq shkruan se i është drejtuar Prokurorisë së Prokupljes me kërkesën që të mos lejojë frikën apo presionet të ndikojnë në hetim. Ai theksoi se organet hetimore duhet të dëgjojnë dëshminë e Dalibor Sedlar, nënkolonel në qendrën e tretë të Agjencisë Ushtarake të Sigurisë (VBA), i cili, sipas tij, posedon informacione të rëndësishme për ngjarjen.
“Ky është një rast që kërkon guxim institucional. I kërkova prokurorit të mos ketë frikë, por të dëgjojë nënkolonelin Sedlar, i cili ka treguar guxim dhe integritet profesional”, shkruan avokati Niniq.
Autoritetet hetimore ende nuk kanë dhënë detaje zyrtare mbi motivet e mundshme të sulmit apo lidhjet mes personave të përfshirë.
Policia e Kosovës pretendoi se ai u plagos dhe u rrëmbye nga Xhandarmëria Serbe.
Një javë më pare, avokati Ivan Niniq njoftoi se Milan Vukashinoviq u plagos rëndë nga një të shtënë në fshatin Jelakce afër Leposaviq dhe se mjekët po luftojnë për jetën e tij në Qendrën Mjekësore Universitare të Nishit. Ai i bëri publikisht pyetje Presidentit Aleksandar Vuçiq, Ministrit të Mbrojtjes Bratislav Gashiq dhe Drejtorit të VBA-së Gjura Jovaniq në lidhje me pjesëmarrësit në incident, detajet mjekësore dhe dështimet e institucioneve në lidhje me këtë incident.
Ndryshe, më 3 nëntor, avokati Niniq përmes postimeve në rrjete kishte reaguar për incidentin që, sipas tij, kishte ndodhur më 1 nëntor në Leposaviq. Ai ka thënë se Vukashinoviqi ishte plagosur rëndë dhe më pas ishte rrëmbyer, për t’u transportuar më vonë në territorin e Serbisë.










