‘Janë çartë zotnitë mes vete’: aleatët e Kurtit i vënë flakën bashkëpunimit

Katër partitë shqiptare – Aleanca për Shqiptarët e krahut të Taravarit, Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa – i kanë dhënë përfundimisht fund mundësisë që ta shtyjnë edhe ndonjë ditë bashkëjetesën e tyre të vështirë. Aleanca për Shqiptarët e Taravarit e ka ndarë mendjen që në zgjedhjet lokale të shkojë me listë të veçantë. Ndërkohë, Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa, përveçse e kanë leçitur subjektin e Taravarit, tashmë kanë vendosur të garojnë si listë e përbashkët.

Aleatët e Kurtit dhe Vetëvendosjes në Maqedoninë e Veriut përfundimisht i kanë qëruar hesapet mes vete përmes ndarjes.

Megjithë trazimin e brendshëm brenda partnerëve shqiptarë, ata janë shprehur të bindur se nuk do të rrezikohet stabiliteti i Qeverisë së kryeministrit Hristijan Mickoski.

Mesazhet e fundit janë dhënë gjatë konferencës së djeshme për medie ku ishin të gjithë krerët e VLEN-it, me përjashtim të Arben Taravarit nga Aleanca për Shqiptarët.

“Nuk është sekret që Arben Taravari po negocion me BDI-në dhe oligarkët”, ka thënë kreu i Lëvizjes Demokratike dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti.

“Ne nuk e përjashtuam Taravarin nga VLEN-i, por ai e përjashtoi veten”, ka thënë Mexhiti pas takimit të tri partive që janë partnere qeverisëse me VMRO-DPMNE-në.

Sipas tij, qëllimi është që të përçahet koalicioni shqiptar dhe “BDI të rikthehet nga vdekja klinike.”

Me këtë rast është bërë e ditur se Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa kanë vendosur që të garojnë me lista të përbashkëta si subjekt i vetëm politik në zgjedhjet lokale që mbahen gjatë vjeshtës.

“Gjatë këtyre 30 viteve nuk ka asnjë koalicion që ka dalë me lista të ndara në zgjedhje lokale apo zgjedhje të tjera. Përveçse e dobëson koliacionin VLEN, duke futur përçarje brenda tij, ai në të njëjtën kohë nënkupton defaktorizim të votës shqiptare, duke e përfshirë edhe taborrin e tretë politik që do të ketë pasoja në disa komuna”, ka thënë Mexhiti.

Pyetjes së gazetarëve nëse VLEN-i do të kërkojë përjashtimin e ASh-së së Taravarit nga qeveria, ai ka thënë se kjo do të vendoset nga kryeministri Mickoski.

“Aty vendos kryeministri, ai që e formon e qeverinë është kryeministri, nëse ai e vendos nuk kemi asnjëfarë problemi, por në parim me kryeministrin tash për tash i kemi raportet e shkëlqyeshme”, ka thënë Mexhiti.

Ndërkaq, paralajmërime krejt të tjera ka dhënë gjatë të enjtes kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.

Pas vendimit të ASh-së së Taravarit që të shkojë me lista të veçanta në zgjedhjet për këshilltarë komunalë, ai ka paralajmëruar se do t’i kërkojnë kryeministrit maqedonas rishqyrtimin e pozicioneve të VLEN-it në Qeveri.

“Sigurisht që në rrethanat e reja të krijuara, ne do të kërkojmë nga kryeministri të rishqyrtohet marrëveshja si koalicion”, ka thënë Kasami.

I quajtur fillimisht si Lëvizja Evropiane për Ndryshim, duke pasur si bërthamë Lëvizjen Demokratike, Alternativën dhe Lëvizjen Besa, ky koalicion ishte formalizuar me 17 shkurt të vitit të kaluar kur pjesë e tij ishin bërë edhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Taravarit) si dhe filiali i Vetëvendosjes në Maqedoni i përfaqësuar nga Bekim Qoku.

Kryeministri Albin Kurti si dhe njerëz të rrethit të ngushtë të tij, si Arber Zaimi e Hysamedin Feraj, ishin përfshirë aktivisht në instrumentalizimin e këtij koalicioni dhe orientimin e tij kundër BDI-së.

Në emër të ndryshimeve në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Kurti nga zyra e tij, madje edhe në një tubim në Shkup, ia kishte bërë ‘aminin’ një koalicioni të tillë me pesë parti.

Megjithë këtë mbështetje, VLEN-i kishte rezultuar jo fort i pëlqyer për votuesit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Me vetëm 106,937 vota ose 10.92 për qind, ky koalicion pati një dallim të shënueshëm prej Frontit Evropian me 137,690 vota 14.06 për qind – që përbëhej nga BDI, Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, PDSh, Lëvizja Populli, dy parti turke, një boshnjake dhe një rome.

Duke e thyer rregullin e pashkruar të formimit të qeverive në Maqedoni, partia fituese maqedonase VMRO-DPMNE zgjodhi për partner qeverisës koalicionin humbës, atë që ishte përkrahur me të madhe nga Kurti dhe Vetëvendosja. /NACIONALE/