“Jam arrestu e jam liru…”, flet njëri nga të dyshuarit që u prangos sot në Kaçanik

Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Speciale, zhvilloi sot një aksion në Kaçanik, i cili rezultoi me arrestimin e katër personave të dyshuar si pjesë e grupit “Rinia Islame në Kaçanik”, që dyshohet për shpërndarje të thirrjeve me motive fetare.

Në mesin e të ndaluarve ishte edhe Labinot Murati, vëllai i Rilind Muratit – njëri nga të dyshuarit për vrasjen e rreshterit të Policisë, Muhamed Lika. Labinot Murati është liruar pas intervistimit.

Në një përgjigje ekskluzive për Klan Kosovën, ai konfirmoi se ishte arrestuar dhe më pas liruar, por nuk pranoi të jepte më shumë detaje.

“S’po du me folë. Jam arrestu e jam liru sot. Jam intervistu – s’po du me folë ma shumë”, deklaroi shkurt Murati.

Të njëjtën gjë e konfirmoi edhe babai i tij, Ibush Murati, zyrtar policor në Kaçanik, pas lirimit të të birit.

“Ma kanë arrestu edhe djalin tjetër sot. Por para pak minutash më thirri me më tregu që e kanë lëshu. Veç është intervistu,” tha ai për Klan Kosovën.

Përveç tij, edhe tre të dyshuarit e tjerë që u arrestuan tashmë janë liruar.

Klankosova.tv ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale dhe në Policinë e Kosovës për të marrë një konfirmim zyrtar, por akoma nuk kanë kthyer përgjigje.