Paraqitja e sotme e Jakup Krasniqit përballë Dhomave të Specializuara të Gjykatës në Hagë, ka tërhequr vëmendjen, jo vetëm për fjalën e Krasniqit, por edhe për dukjen e tij. Ai, në një formë simbolike, kishte veshur një kravatë me shqiponja kuq e zi.
Siç duket, Krasniqi edhe simbolikisht dëshironte të përçonte një mesazh
Ndërsa në paraqitjen e tij, ai mbajti një fjalë të gjatë.
“I nderuar gjyqtar, zonja dhe zotërinj që jeni të thirrur të bëni drejtësi. Kërkoj që të më kuptoni drejt. Gjatë gjithë jetës sime kam qenë njeri me integritet, në mënyrë më të qartë në raport me më të fortin. Por, për më të dobëtin kurrë nuk kam shfaqur as shenja egërsie, e as përbuzje veç dhembshurisë njerëzore. Padrejtësisë sado e rrezikshme që ishte, dhe është edhe sot, se është nisur nga e njëjta logjikë që e kam jetuar në Jugosllavi, nuk i jam përgjigjur me heshtje asnjëherë”, ka thënë Krasniqi.
“Mbase jam gabim por kurrë nuk kisha besuar sikur të mos ishte ky rast, se juristë të shkolluar në demokraci liberale, që pretendojnë se punojnë me drejtësi kredibile për të bërë drejtësi standarde, guxojnë të ngritin një akuzë që mbështetet vetëm në bazën e gënjeshtrave të Serbisë dhe cenon rëndë jetën, lirinë dhe të drejtën e individit. Madje e godet tepër rëndë në palcë të kurrizit të drejtën e një populli për liri e shtetndërtim me padrejtësi të madhe. Mua më vjen turp që po jetoj në këtë kohë që ua shkatërron jetën njerëzve dhe familjeve që guxuan të jetojnë për lirinë, demokracinë e padrejtësinë”, theksoi Krasniqi.