Jakaj për vendimin e Supremes për pensionistët: Konfirmohet se barra e verifikimit nuk mund t’u ngarkohet qytetarëve

Naim Jakaj nga IKD ka thënë se vendimi i Gjykatës Supreme për të pensionistët është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Ai ka thënë se Supremja ka konfirmuar që të drejtat e pensionistëve nuk mund të kufizohen me rregulla nënligjore dhe se barra e verifikimit nuk mund t’u ngarkohet qytetarëve.

“Një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm i Gjykatës Supreme. Gjykata ka konfirmuar se të drejtat e pensionistëve nuk mund të kufizohen me rregulla nënligjore dhe se barra e verifikimit nuk mund t’u ngarkohet qytetarëve. Përgjegjësia është e institucioneve dhe jo e pensionistëve. Çfarë hapi i madh për mbrojtjen e të drejtave sociale, sigurinë juridike dhe parimin se suspendimi i pensionit duhet të jetë masa e fundit, jo e para.  Ja një paragraf i këtij aktgjykimi: ” suspendimi i pagesës së pensionit duhet të jetë masa e fundit (ultima ratio) dhe jo e para. Për këtë arsye, gjykata konstaton se dispozitat e UA nr. 05/2015, të cilat e trajtojnë mos-lajmërimin si shkak të domosdoshëm për suspendim dhe i shoqërojnë me pasoja materiale të pakthyeshme, janë të kundërligjshme. Ligji ka paraparë një mekanizëm që mbështetet në verifikim aktiv nga ana e Ministrisë dhe jo në barrë disproporcionale ndaj pensionistit.””