Shkruan: Col Mehmeti
«Për fisin e Kelmendit, që fillimisht u ngulit në Kosovë, dihet që luftoi trimërisht në betejën e vitit 1389 në Kosovë. Në shekullin e 17-të të detyruar nga turqit, ai u shpërngul në malet e Shqipërisë veriore. Një shekull më vonë, disa nga gjinitë e tij ishin të detyruara të shpërnguleshin përsëri, si rrjedhojë e mbipopullimit». Walther Peinsipp, Das Volk der Shkypteren, Graz, 1985.
● Veç tu e kuptue pattern-in e dinamikave të rendit fisnor dhe ekonomisë pastorale, munden me u zhdavarit pikëpyetjet nëse pati ose jo hemoragji emigrative nga malësitë e Shkodrës, Pukës e Mirditës drejt Kosovës.
● Lindja e fisit, si entitet politiko-ushtarak me fillimin e pushtimit osman t’Shqipnisë, po e kompensonte boshllëkun e shkatërrimit të suprastrukturës feudale të ish-fisnikëve shqiptarë. Me këtë rast, fisi realizon nji bashkim mes vllaznive të hapërdame në malësi dhe ultësinë. Të tilla mund të cilësohen lëvizjet dydrejtimëshe Kosovë-Malësi.
●Në raste të tjera, si fjala vjen fisi i Kelmendit, që ishte i pranishëm n’Kosovë qysh në shek.14-të, u detyrue me u shpërngul në thellësi të malësive e masanej prapë me u kthye në rrafshultën e Kosovës.
●Parimi latent i migrimit âsht “from the known to the known” (nga i njohuni te i njohuni). Malësorë shqiptarë që zbritën nga malësitë e Mbishkodrës, Pukës e Mirditës shkuen drejt nji popullate familjare me ta për nga gjuha, zakonet e mendësia, siç ishin bashkësitë autoktone shqiptare në Kosovë, dhe jo në nji territor hostil të banuem nga nji popullatë joshqiptare.
■ Nuk ka kolonizim, por lëvizje shoqnore mal-ultësinë brenda nji ekumene shqipfolëse.