Ja dy alternativat e Barçës për të zëvendësuar goditjen e madhe nga “jo” e Nico Williams

Një bombë e vërtetë dhe ndryshim i plotë planesh te Barça. Klubi blaugrana duhet të rishikojë strategjinë e merkatos pas refuzimit të papritur të Nico Williams, një goditje që nuk pritej dhe ra si kovë me ujë të ftohtë. Te Barça kishin besim se javën tjetër do të mbyllej marrëveshja për transferimin e tij, ndaj kishin pezulluar bisedimet për emra të tjerë në pritje të përfundimit të këtij operacioni.

Tani kontaktet do të rifillojnë për të nënshkruar me një anësor të nivelit më të lartë. Luis Díaz (Liverpool) dhe Rashford (Manchester United) janë dy alternativat kryesore, megjithëse “jo” e Nico do ta bëjë më të vështirë çdo negociatë, pasi klubet e tjera e dinë mirë nevojën e Barçës për të firmosur me një sulmues.

Barça e kishte prishur planin fillestar dhe e kishte rihapur pistën Nico Williams pas një takimi që kërkoi agjenti i lojtarit, Félix Tainta, i cili udhëtoi në Barcelonë për të konfirmuar gatishmërinë e lojtarit për të firmosur këtë verë. Vendosmëria e Nico bëri që Barça të ndalte çdo operacion tjetër për të firmosur me anësorin e Athletic.

Direkt iu dhanë urdhra drejtuesve sportivë që të arrinin një marrëveshje të shpejtë me klubin bask. Në atë moment u pezulluan kontaktet e avancuara me Luis Díaz, me të cilin ishte arritur një marrëveshje për pagën, për 4 sezonet e ardhshme. U ngrinë gjithashtu bisedimet për Rashford, me të cilin ishte zhvilluar një takim në Barcelonë para disa javësh.

Tani skenari ka ndryshuar dhe gjithçka është bërë më e ndërlikuar. Objekti i dëshirës së Deco ka qenë gjithmonë Luis Díaz, të cilin e ka preferuar para Nico Williams dhe e ka mbrojtur brenda klubit. Barça do të përpiqet, megjithëse transferimi i tij është bërë shumë më i vështirë se disa javë më parë.

Së pari, sepse Liverpool e ka refuzuar një ofertë shumë të fortë nga Bayerni dhe e konsideron ende të pashitshëm. Së dyti sepse tragjedia e vdekjes së Diogo Jota ka ndalur shumë gjëra në klubin anglez. Nuk është momenti i duhur për të nisur negociata me një skuadër që është thellësisht e prekur.

Prandaj, vëmendja mund të përqendrohet te Marcus Rashford, lojtar që Hansi Flick e sheh shumë të vlefshëm dhe për të cilin operacioni mund të jetë më i thjeshtë, për shkak të gatishmërisë së anglezit për të nënshkruar.

Rashford dërgoi vëllanë e tij në Barcelonë për të treguar qartë se dëshiron vetëm fanellën blaugrana dhe është i gatshëm për gjithçka: që nga ushtrimi i presionit për t’u larguar në formë huazimi nag “Old Trafford” e deri tek ulja e ndjeshme e pagës së tij të lartë (për t’u përshtatur me kufijtë e pagave te Barça).

Manchester United vazhdon të këmbëngulë për shitjen e Rashford dhe kërkon rreth 40 milionë euro, por koha po ngushtohet dhe trajneri Ruben Amorim nuk e dëshiron lojtarin në përgatitjet parasezonale. Në këtë situatë, Manchester United i leverdis një operacion i shpejtë dhe i pastër, edhe në formë huazimi me të drejtë blerjeje. Vetë Rashford është i etur për t’u transferuar në “Camp Nou”, në janar ka qenë shumë pranë realizimit të kësaj lëvizjeje.

Ky ndryshim planesh, në varësi të operacionit që do të zgjedhë Barça, mund të ketë pasoja edhe në planifikim. Nëse Barça vendos për Rashford në formë huazimi, mund të ketë hapësirë për të bërë edhe një ose dy blerje të tjera. “Jo” e Nico Williams i ka tronditur plotësisht blaugranat, që tashmë duhet të veprojnë shpejt.

The post Ja dy alternativat e Barçës për të zëvendësuar goditjen e madhe nga “jo” e Nico Williams appeared first on Telesport.