F-15IA konsiderohet një nga shtyllat kryesore të fuqisë ajrore izraelite.
Pentagoni ka njoftuar dhënien e një kontrate me vlerë 8.6 miliardë dollarë për kompaninë amerikane Boeing, për prodhimin dhe furnizimin e 25 avionëve luftarakë F-15IA për Forcën Ajrore të Izraelit, me opsion për edhe 25 të tjerë.
Marrëveshja u bë publike të hënën, pak pasi presidenti amerikan Donald Trump u takua në Florida me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në një moment kur bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve mbetet kyç për balancat e sigurisë në Lindjen e Mesme.
Sipas deklaratës së Pentagonit, kontrata përfshin “projektimin, integrimin, instrumentimin, testimin, prodhimin dhe dorëzimin” e avionëve të rinj F-15IA, varianti izraelit i avionit të avancuar F-15EX, versioni më i fundit i një platforme që përdoret prej dekadash nga Izraeli.
F-15IA konsiderohet një nga shtyllat kryesore të fuqisë ajrore izraelite, veçanërisht për misione me rreze të gjatë veprimi dhe për mbajtjen e ngarkesave të rënda luftarake.
Avionët e këtij tipi janë përdorur intensivisht në vitet e fundit në operacione kundër objektivave të lidhura me Iranin, Houthi-t në Jemen dhe Hezbollah-un në Liban.
Marrëveshja e re vjen si vazhdim i një kontrate të mëparshme, të nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar, me vlerë 5.2 miliardë dollarë, për furnizimin e 25 avionëve F-15IA, të cilët pritet të dorëzohen në grupe prej katër deri në gjashtë avionësh në vit, duke nisur nga viti 2031.
Me kontratën e shpallur tani, numri total i avionëve F-15IA që do t’i shtohen Forcës Ajrore të Izraelit arrin në 50, duke iu shtuar flotës ekzistuese prej 66 avionësh F-15 të varianteve të tjera që Izraeli ka aktualisht në përdorim.










