Izraeli po vazhdo t’i eliminojë udhëheqësit ushtarakë si dhe shkencëtarë bërthamorë.
Tre shkencëtarë bërthamorë iranianë janë vrarë në sulme izraelitet, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim.
Këta tre emra – Ali Bakaei Karimi, Mansour Asgari dhe Saeid Borji – shtohen në gjashtë të tjerë të raportuar më parë nga Irani, duke e çuar numrin total në nëntë, në përputhje me pretendimet e ushtrisë izraelite.
Izraeli thotë se këto sulme janë pjesë e përpjekjeve për të frenuar ambiciet bërthamore të Iranit, shkruan skynews.
Theksojmë se Izraeli ka eliminuar edhe disa komandantë të lartë ushtarakë duke i shkaktuar dëme të mëdha iranianëve.
Ndryshe, bisedimet midis Iranit dhe SHBA për një marrëveshje bërthamore janë vënë në pikëpyetje pas këtyre zhvillimeve. /Telegrafi/
Ministri izraelit i Mbrojtjes: Teherani do të digjet nëse sulmet vazhdojnë

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha të shtunën se njerëzit në Teheran do të paguajnë rëndë nëse Irani vazhdon me sulmet e tij me raketa, duke paralajmëruar se kryeqyteti iranian do të digjet.
“Diktatori iranian po i kthen qytetarët e Iranit në pengje dhe po krijon një realitet në të cilin ata – veçanërisht banorët e Teheranit – do të paguajnë një çmim të rëndë për sulmet kriminale ndaj civilëve izraelitë”, tha Katz pasi zhvilloi një takim mbi situatën me udhëheqësit e ushtrisë izraelite, shkruan CNN.
“Nëse Khamenei vazhdon të qëllojë me raketa në frontin e brendshëm izraelit, Teherani do të digjet”, shtoi Katz.
Dy raketa lëshohen nga Gaza drejt Izraelit

Dy raketa u lëshuan nga Gaza drejt Izraelit të shtunën në mëngjes. Siç raporton CNN, të dyja ranë në tokë të hapur në një zonë që kufizohet me Rripin e Gazës.
“Pas sirenave që ranë në orën 10:15 në zonat e hapura në komunitetet pranë Rripit të Gazës, u identifikuan dy predha që ranë në zonën kufitare në Rripin e Gazës”, thanë Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) në një deklaratë.
Nuk u raportuan të lënduar nga këto dy raketa të lëshuara nga Gaza.
Irani i kërcënon me sulme SHBA-në, Britaninë e Francën

Irani ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe Francës se bazat dhe anijet e tyre në rajon do të shënjestrohen nëse ndihmojnë t’i ndalojnë sulmet e Teheranit në Izrael, raportoi media shtetërore iraniane të shtunën.
Irani ka thënë se do t’i vazhdojë sulmet , ndërsa një zyrtar citohet të ketë thënë se do t’i shënjestrojë edhe bazat amerikane në rajon ditët në vijim, raportoi BBC.
60 persona, përfshirë 20 fëmijë, raportohet se janë vrarë nga sulmi i Izraelit në një ndërtesë të banuar në Teheran.
Në mesin e fëmijëve ishte edhe një foshnjë 6-muajshe. Të premten autoritetet iraniane thanë se ishin vrarë 78 persona nga Izraeli.
Raportohet se janë vrarë 60 persona pas një sulmi izraelit në një ndërtesë në Teheran

Gjithsej 60 persona raportohet se janë vrarë pas një sulmi izraelit në një ndërtesë banimi në Teheran, sipas një gazetari të medias shtetërore iraniane.
Sipas “CNN“, telekomanda iraniane shfaqi pamje live të punonjësve që po largonin rrënojat nga vendi i një ndërtese 14-katëshe në kompleksin e banesave Shahrak-e Shahid Chamran në Teheran.
Sipas një gazetari në vendngjarje, 20 fëmijë janë vrarë në ndërtesën banimi, përfshirë foshnja që ishin vetëm 6 muajsh. Dhjetë trupa thuhet se ndodhen ende nën rrënoja.
Dërguari i Iranit në Kombet e Bashkuara, Amir Saeid Iravani, tha të premten se të paktën 78 persona ishin vrarë nga sulmet izraelite. Nuk ishte e qartë menjëherë nëse 60 viktimat e ndërtesës banimi ishin përfshirë në këtë numër.
Izraeli: Rruga për në Iran është hapur, do të fillojmë sulmet ndaj objektivave në Teheran

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) ka thënë se forcat ajrore të vendit janë gati të rifillojnë objektivat e goditura në Iran.
Pak më parë, shefi i shtabit të IDF-së, gjenerallejtënant Eyal Zamir dhe shefi i forcave ajrore izraelite, gjeneralmajor Tomer Bar dhanë një vlerësim të përbashkët të situatës. Ata thonë se “rruga për në Iran është hapur”.
“Sipas planeve, avionët luftarakë të forcave ajrore do të fillojnë të kryejnë sulme ndaj objektivave në Teheran”, shtojnë ata.
Ndërkaq, në një përditësim pak më parë nga ushtria izraelite u tha se forcat ajrore të vendit goditën “dhjetëra” objektiva në Teheran gjatë natës, duke përfshirë infrastrukturën e raketave tokë-ajër.
Bar tha në një deklaratë se sulmet kishin “rëndësi operacionale dhe kombëtare”.
“Vendet strategjike u dëmtuan”, shtoi ai./Express/
Video e verifikuar nga CNN, momenti kur raketa iraniane bie në Tel Aviv afër një baze ushtarake izraelite

Televizioni prestigjioz amerikan “CNN” kanë publikuar një video, të cilën e kanë verifikuar, e ku tregohet momenti dramatik i një rakete iraniane që bien në një zonë urbane të Tel Avivit, në një hapësirë ushtarake të Forcave Mbrojtëse të Izraelit,
Në një video të xhiruar nga një dëshmitar nga një ndërtesë aty pranë, mund të shihen disa predha duke u lëshuar nga toka drejt qiellit, ndërsa Irani nisi sulme hakmarrëse ndaj Izraelit gjatë natës së të shtunës.
Pak çaste më vonë, një raketë godet tokën duke shkaktuar një shpërthim të madh me re të mëdha tymi që ngrihen nga zona e goditjes, siç tregojnë pamjet filmike.
Netanyahu thirrje popullit iranianë: Unë jam me ju, zgjohuni kundër regjimit

Izraeli ka filluar një filluar një sulm ajror gjatë ditës së djeshme drejt Iranit, ku ky i fundit iu kundërpërgjigj gjatë orëve të mbrëmjes.
Në një deklaratë të fortë dhe drejtpërdrejtë, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u bëri thirrje qytetarëve iranianë të ngrihen kundër regjimit aktual në Teheran, duke e cilësuar atë si “të lig” dhe “shtypës”.
“Ka ardhur koha që ju të bashkoheni rreth flamurit tuaj dhe trashëgimisë suaj historike. Të ngriheni për lirinë tuaj kundër një regjimi të keq dhe shtypës që nuk ka qenë kurrë më i dobët se sot. Kjo është mundësia juaj për ta bërë zërin tuaj të dëgjohet”, tha ai me tone të ashpra drejtuar popullit iranian.
Ai theksoi se kjo është një mundësi historike për të kërkuar ndryshim dhe për të sfiduar një sistem që, sipas tij, nuk përfaqëson më vullnetin e qytetarëve të Iranit.
“Unë jam me ju. Populli i Izraelit është me ju”, përfundoi fjalimin e tij, duke dhënë një mesazh mbështetjeje për iranianët që mund të ndihen të shtypur apo të pafuqishëm nën regjimin aktual.
⚡ BREAKING: Netanyahu calls on Iranians to rise up
💥 “And the time has come for you to unite around your flag and your historic legacy by standing up for your freedom from an evil and oppressive regime. It has never been weaker. This is your opportunity to stand up and let… pic.twitter.com/vhQEZGxWIz
— NEXTA (@nexta_tv) June 13, 2025
Deklarata vjen në një kohë jashtëzakonisht të tensionuar, me përplasje të rënda ushtarake mes Izraelit dhe Iranit, dhe mund të shihet si një përpjekje për të nxitur ndasi të brendshme në Iran apo për të fituar simpati në nivelin e opinionit publik iranian. /Telegrafi/
Ministria e Jashtme e Shqipërisë: Pesë shtetas shqiptarë janë në Izrael, s’ka të lënduar

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka bërë me dije se nuk ka asnjë shqiptar deri tani të lënduar nga sulmet e fundit iraniane në Izraeli, teksa ministria thekson se situata është nën vëzhgim të vazhdueshëm nga pala shqiptare.
Po ashtu, theksohet përmes njoftimit edhe se fluturimet me Izraelin janë ndaluar deri në një njoftim të dytë.
Përmes një komunikate për media, MEPJ bën me dije se po ndjek me prioritet dhe vëmendje të veçantë situatën e shtetasve shqiptarë në Izrael, të prekur nga zhvillimet e fundit.
Njoftimi i plotë:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po ndjek me prioritet dhe vëmendje të veçantë situatën e shtetasve shqiptarë në Izrael, të prekur nga zhvillimet e fundit.
Deri tani nuk ka asnjë raportim për qytetarë shqiptarë të lënduar apo të dëmtuar.
Aktualisht janë evidentuar pesë shtetas shqiptarë në Izrael: tre me status turisti dhe dy me qëndrim të përkohshëm.
Ambasada jonë në Tel Aviv është në kontakt të vazhdueshëm me ta. Të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore, janë të informuar dhe po ndjekin udhëzimet e sigurisë të autoriteteve izraelite.
Njoftojmë se për shkak të situatës, fluturimet janë ndërprerë. Për çdo informacion shtesë dhe nevoja emergjente, lutemi të kontaktoni Ambasadën Shqiptare në Tel Aviv në numrat e emergjencës:
+972 54 480 6601
+972 54 904 2813
Ambasadori amerikan në Tel Aviv: Natë e trazuar në Izrael, pesë herë gjatë natës mu desh të shkoja në strehimore

Mike Huckabee, ambasadori i SHBA në Izrael, tha se atij iu desh të shkonte në strehimoret e bombardimeve pesë herë gjatë natës, pasi Irani nisi valë sulmesh me raketa hakmarrëse kundër Izraelit.
“Ka qenë natë e trazuar në Izrael”, tha Huckabee, i cili ndodhet në vend, në një postim në X të shtunën në mëngjes.
Huckabee shtoi se Shabbat, dita e pushimit hebre që shënohet çdo të shtunë, duhet të jetë e qetë, por “ndoshta nuk do të jetë”.
Të mërkurën, departamentet e shtetit dhe të mbrojtjes së SHBA-së aranzhuan largimin e personelit ‘jo esencial’ nga vendet përreth Lindjes së Mesme, dy ditë përpara se Izraeli të ndërmerrte sulmin e tij, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
Huckabee, ish-guvernatori i Arkansas u emërua nga Presidenti Donald Trump për postin me bazë në Jerusalem në nëntor të vitit të kaluar.
Ai ka qenë një mbrojtës i vendosur i Izraelit dhe dikur thoshte se “nuk ka diçka të tillë si palestinezë”.
Pamje dramatike nga Izraeli: Momenti i goditjes së ministrisë së Mbrojtjes

Pamje dramatike nga Tel Avivi tregojnë momentin e saktë kur selia e ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit në Tel Aviv u godit nga raketat iraniane.
Shpërthimi u shoqërua me flakë dhe tym të dendur, ndërsa alarmet e sulmit ajror u dëgjuan në të gjithë qytetin.
Goditja vjen në një moment kritik, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë kombëtare të Izraelit dhe përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Sipas mediave izraelite, ky ishte sulmi i dytë me raketa i lëshuar nga Irani në drejtim të territorit izraelit brenda pak orësh.
Sasia e raketave dhe dronëve të lëshuar tregon një shkallë të lartë të përgatitjes ushtarake dhe një përgjigje të koordinuar nga ana e Teheranit.
Situata në rajon vazhdon të jetë jashtëzakonisht e tensionuar, me potencial për përshkallëzim në një konflikt të hapur rajonal.
Forcat e mbrojtjes izraelite janë në gatishmëri të plotë, ndërsa raportimet për dëme dhe viktima janë ende në zhvillim. /Telegrafi/
Përshkallëzim historik në Lindjen e Mesme – sulmi më i madh izraelit që nga viti 1981

Për herë të parë ndonjëherë, Izraeli ka ndërmarrë sulme të drejtpërdrejta mbi infrastrukturën bërthamore të Iranit — jo mbi grupet përfaqësuese (proxy), por mbi objektiva kyçe brenda vendit: Natanz, Fordow dhe Isfahan.
Disa gjeneralë të Gardës Revolucionare (IRGC) dhe shkencëtarë bërthamorë janë vrarë. Kjo është operacioni më i rëndësishëm i Izraelit që nga bombardimi i reaktorit Osirak në Irak në vitin 1981.
Mesazhi është i qartë: Izraeli nuk do ta lejojë Iranin të zotërojë një armë bërthamore — dhe është i gatshëm të veprojë në mënyrë parandaluese, të hapur dhe në shkallë të gjerë.
Irani u kundërpërgjigj duke lëshuar mbi 150 raketa balistike dhe më shumë se 100 dronë. Shumica u kapën në ajër, por disa arritën të godasin Tel Avivin dhe Jerusalemin, duke prekur zona të banuara dhe duke plagosur civilë.
Kjo shënon sulmin e tretë të drejtpërdrejtë të Iranit ndaj territorit izraelit gjatë këtij viti — por është bindshëm më i ashpri dhe më shkatërruesi.
Situata rrezikon të përshkallëzohet në një luftë rajonale. Hezbollahu, fraksione palestineze dhe milici irakiane janë duke u mobilizuar.
SHBA-ja është tashmë e përfshirë në kapjen e raketave dhe evakuimet emergjente. Hapësira ajrore mbi Iran, Irak dhe Izrael është mbyllur.
Çmimet e naftës dhe arit janë në rritje. Për herë të parë që nga Lufta e Irakut në vitin 2003, Lindja e Mesme ndodhet në prag të një konflikti të hapur ndër-shtetëror – me pasoja potencialisht bërthamore. /Telegrafi/
Pasojat e sulmeve hakmarrëse me raketa të Iranit në Tel Aviv

Forcat iraniane lëshuan disa valë raketash drejt Izraelit gjatë natës.
Një raketë thuhet të ketë rënë pranë shtëpive në Rishon Lezion, në jug të Tel Avivit.
Këto janë pamjet e fundit nga qyteti bregdetar, ku të paktën 21 persona kanë mbetur të plagosur.
Dhjetëra të vrarë ndërsa shkëmbejnë sulme Izraeli dhe Irani

Izraeli kreu dje sulme ajrore në të gjithë Iranin, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj mbrëmë dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Ambasadori iranian në OKB, Amir Saeid Iravani, tha se 78 persona janë vrarë dhe mbi 320 janë plagosur.
Mes të vrarëve janë edhe tre nga udhëheqësit më të lartë ushtarakë të Iranit, Gjenerali Mohammad Bagheri, që kishte nën mbikëqyrje të gjitha forcat e armatosura; Gjenerali Hossein Salami, që drejtonte Gardën Revolucionare Paramilitare dhee Gjenerali Amir Ali Hajizadeh, drejtues i programit të raketave balistike.
Iravani tha se shumica e të plagosurve janë civilë, shkruan skynews.
Shërbimi i ambulancës izraelite raportoi se 34 persona u plagosën të premten në mbrëmje në Tel Aviv, shumica me lëndime të lehta.
Më pas policia njoftoi se një person kishte ndërruar jetë.
Disa orë më vonë, një raketë iraniane raportohet se goditi banesa në qytetin qendror izraelit Rishon Lezion, duke vrarë dy persona dhe plagosur 19 të tjerë.
Të gjitha këto shifra janë bazuar në të dhëna nga autoritetet dhe nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. /Telegrafi/
Valë e re raketash iraniane teksa agon dita në Tel Aviv dhe Teheran – krejt çka ndodhi deri tani

Kanë kaluar pak më shumë se 24 orë që kur Izraeli nisi një sulm masiv me dy drejtime kundër Iranit, që synonte shkatërrimin e zonave bërthamore të vendit dhe eliminimin e udhëheqjes së tij ushtarake në Teheran.
Irani, i cili u zotua për një “përgjigje shkatërruese” ndaj sulmit, nisi disa valë sulmesh vdekjeprurëse kundër Izraelit gjatë natës së të shtunës, me të dyja palët që raportuan vdekje dhe plagosje të shumta.
Sirenat ranë në Izrael në mëngjesin e së shtunës dhe shpërthime u raportuan në Tel Aviv, Jerusalem dhe Teheran, pasi konflikti në rritje rrezikon ta tërheqë Lindjen e Mesme në një luftë më të gjerë, shkruan CNN.
Ja çfarë duhet të dini:
Sulmet gjatë natës: Forcat iraniane lëshuan disa valë raketash drejt Izraelit gjatë natës deri të shtunën. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit tha se shënjestroi qendrat ushtarake izraelite dhe bazat ajrore në sulmet me raketa të premten. Ndërkohë, sistemi i mbrojtjes ajrore të Teheranit ishte aktiv në fillim të së shtunës pas një raundi tjetër të sulmeve izraelite, raportoi media shtetërore iraniane.
Kapjet dhe dëmtimet: Ushtria izraelite pretendoi se ka kapur disa nga vala e fundit e raketave iraniane, por ka raporte për njerëz të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave, si dhe shtëpi të shkatërruara ose dëmtuara. Ekuipazhet e emergjencës po reagonin ndaj predhave të rëna. Shpërthime të forta u dëgjuan në Tel Aviv dhe Jerusalem.
Vdekje dhe plagosje: Sulmet hakmarrëse të Iranit kanë vrarë të paktën dy persona, thanë autoritetet izraelite. Një person u vra dhe më shumë se 20 u plagosën pasi një raketë iraniane goditi pranë shtëpive në Rishon Lezion, në jug të Tel Avivit. Dhe një grua u vra kur një fragment arme ra në Ramat Gan, gjithashtu afër Tel Avivit. I dërguari i Izraelit në SHBA më herët tha se rreth 40 persona ishin plagosur. Në Iran, të paktën 78 njerëz u vranë në sulmet izraelite, duke përfshirë zyrtarë të lartë ushtarakë, tha të premten i dërguari i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani. Më shumë se 320 njerëz u plagosën, shumica prej tyre civilë, shtoi ai.
Bazat e Forcave Ajrore në shënjestër në Iran: Ushtria izraelite tha se goditi dy baza të forcave ajrore iraniane – të përdorura për operacione me raketa dhe dron – të premten. Ato përfshijnë bazën ajrore Hamadan në Iranin perëndimor, bazën ajrore Tabriz, një vend lëshimi raketash tokë-tokë, në veriperëndim të vendit.
Paralajmërimet: Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz tha të premten vonë se Irani kishte “kaluar vijat e kuqe” duke qëlluar në qendrat e popullsisë civile dhe u zotua se do të paguante një “çmim shumë të rëndë”. Irani tha se do të intensifikojë sulmet e tij ndaj Izraelit dhe do të synojë bazat rajonale të çdo vendi që përpiqet ta mbrojë atë. Netanyahu paralajmëroi Iranin të premten se “më shumë janë në rrugë”.
Bisedimet bërthamore: Një raund i gjashtë i bisedimeve bërthamore midis SHBA-së dhe Iranit do të fillonte të dielën. Presidenti amerikan Donald Trump i tha Reuters se bisedimet e Uashingtonit me Iranin janë ende të planifikuara, megjithëse ai nuk është i sigurt se ato do të vazhdojnë. Trump i tha NBC Neës se Irani “mund të ketë një mundësi tjetër” për të arritur një marrëveshje bërthamore dhe la të kuptohej se iranianët po i afrohen atij.
Të premten herët, Izraeli nisi një valë sulmesh të paprecedentë ndaj Iranit, duke goditur vendet kryesore në programin bërthamor të vendit, si dhe zonat e banuara në kryeqytetin e Iranit, Teheran dhe duke vrarë disa nga udhëheqësit ushtarakë të rangut më të lartë të vendit. Izraeli kishte shtyrë vazhdimisht idenë për një opsion ushtarak për të ndaluar programin bërthamor të Iranit. Ai tha të premten se Teherani kishte avancuar një “program sekret për të montuar një armë bërthamore” dhe ishte më afër se kurrë për të pasë një të tillë. Irani ka këmbëngulur vazhdimisht se nuk po ndërton një bombë dhe se programi i tij bërthamor është për qëllime energjetike. /Express
*Në fotografi: Sistemi i mbrojtjes ajrore izraelite Iron Dome duke qëlluar për të kapur predha mbi Tel Aviv të shtunën. Leo Correa/AP
Ushtria izraelite u thotë qytetarëve se mund të largohen nga hapësirat e mbrojtura, por të ‘qëndrojnë afër tyre’

Forcat e Armatosura të Izraelit (IDF) njoftuan se njerëzit mund të largohen nga hapësirat e mbrojtura në të gjithë vendin, por duhet të qëndrojnë afër tyre, shkruanBBC.
Ky njoftim vjen pasi ushtria izraelite u kërkoi qytetarëve të gjenin strehë deri në njoftim të mëtejshëm, ndërsa po vepronte për të interceptuar raketat e lëshuara nga Irani.
“Ju kërkohet të vazhdoni të ndiqni udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm,” shtohet në njoftim.
Ushtria thotë se disa nga “dhjetëra” raketat e lëshuara nga Irani drejt Izraelit gjatë orës së fundit janë interceptuar.
“Forcat e kërkim-shpëtimit po veprojnë aktualisht në disa vende në të gjithë vendin ku janë marrë raporte për projekte të rëna,” thuhet gjithashtu.
Vazhdojnë sulmet, shpërthime të tjera dëgjohen në Iran

BBC raporton për shpërthime të tjera që dëgjohen në kryeqytetin e Iranit, Teheran.
Mediat shtetërore raportojnë se sistemi i mbrojtjes ajrore i Teheranit është aktivizuar për të kundërshtuar sulmet izraelite.
Irani kreu sulme ndaj “dhjetëra objektivave, qendrave ushtarake dhe bazave ajrore” që i përkasin Izraelit, sipas Gardës Revolucionare Islamike.
Një zyrtar i lartë iranian tha se Izraeli “po përballet me një natë të errët përpara.”
Irani: 78 të vdekur nga sulmet barbare të Izraelit, shumica gra e fëmijë

Në një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në New York, të kërkuar nga Irani pas sulmeve izraelite, përfaqësuesi iranian Amir-Saeid Iravani e cilësoi ofensivën si “barbare dhe kriminale”.
Sipas tij, objektivat e sulmit ishin facilitetet bërthamore, infrastruktura civile dhe zona të banuara.
Autoritetet iraniane konfirmojnë se deri tani 78 persona janë vrarë dhe mbi 320 janë plagosur, shumica dërrmuese prej tyre civilë.
Iravani e quajti këtë një “shfaqje tronditëse të një agresioni të kalkuluar”, duke akuzuar SHBA-në si “bashkëfajtore”, pasi ka ofruar “ndihmë dhe mbështetje” për këto sulme.
Kryediplomati iranian i kërkoi Këshillit të Sigurimit të dënojë veprimet e Izraelit dhe të mbajë përgjegjës ata që ai cilëson si autorë të një agresioni të qëllimshëm.
Situata në terren mbetet e paqartë, ndërsa Irani vazhdon të aktivizojë sistemet e mbrojtjes ajrore për të kundërshtuar sulmet e mëtejshme.
“Fabrika mbi tokë për pasurimin e uraniumit në Iran është shkatërruar”, thotë kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike

Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, i ka thënë Këshillit të Sigurimit të OKB-së se “fabrika mbi tokë ku Irani prodhonte uranium të pasuruar deri në 60% është shkatërruar.”
Grossi gjithashtu deklaroi se ndotja radiologjike është e menaxhueshme nëse merren masa të përshtatshme, dhe se ka ndotje radiologjike dhe kimike brenda objekteve në Natanz, raporton Cnn.
Ai shtoi se nuk ka shenja të sulmeve ndaj sallave të pasurimit nëntokësor në Natanz, por se sulmet ndaj furnizimit me energji elektrike mund të kenë dëmtuar centrifugat.
Izraeli sulmoi Iranin duke goditur objektet bërthamore dhe ushtarake, një prej tyre edhe Natanz, objektin më të madh të pasurimit të uraniumit në Iran.
Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), sulmet kanë shënjestruar infrastrukturën kritike të objektit, e cila, sipas tyre, ka funksionuar për vite me radhë për të arritur aftësinë e armëve bërthamore dhe strehon infrastrukturën e nevojshme për pasurimin e uraniumit në nivele ushtarake.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë publikuar një foto satelitore që tregon me detaje strukturën dhe infrastrukturën e objektit më të madh të pasurimit të uraniumit në Iran, i ndodhur në zonën e Natanzit, i cili ishte shënjestër e sulmeve gjatë natës, por edhe sot. Po ashtu, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë publikuar edhe një VIDEO 3D që përshkruan vendin e pasurimit të uraniumit në Natanz.
Sulmi ka shënjestruar: ndërtesën e kontrollit (Control Building), transformatorët elektrikë që furnizojnë sistemin e pasurimit, si edhe zona nëntokësore, e pozicionuar në qendër të kompleksit, që përbën thelbin e veprimtarisë bërthamore të Iranit.
Sipas zëdhënësit të IDF-së, Gjeneral Major Effie Defrin, Izraeli goditi “objektin më të madh të pasurimit të uraniumit në Iran”, duke iu referuar kompleksit bërthamor nëntokësor në Natanz.
“Ky objekt u përdor nga Garda Revolucionare për të çuar përpara programin e tyre ushtarak bërthamor”, tha Defrin, duke vënë në dukje se sulmi izraelit “shkaktoi dëme serioze” si në godinën nëntokësore të pasurimit ashtu edhe në infrastrukturën kritike në objekt.
Defrin pohoi se Tel Avivi shkroi drejt këtij përshkallëzimi sepse “nuk kishte zgjidhje tjetër”. “Ne goditëm kompleksin nëntokësor dhe pika të tjera jetësore në këtë zonë”, tha ai.
Në hartën e publikuar, IDF ka shënuar me të kuqe të gjitha zonat e konsideruara si objektiva strategjike, duke theksuar se këto goditje janë pjesë e përpjekjeve për të ndalur programin bërthamor të regjimit iranian.
“Ne do të vazhdojmë të veprojmë për të parandaluar regjimin iranian nga pajisja me armë bërthamore,” – thuhet në deklaratën e IDF.
“Nivelet e rrezatimit jashtë centralit bërthamor të Natanzit mbeten “të pandryshuara” pas një vale sulmesh izraelite”, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike.
Pse Izraeli synon pikërisht këtë qendër?
Natanz është objekti kryesor për pasurimin në shkallë të gjerë të uraniumit, një proces që prodhon material që mund të përdoret si për qëllime civile, ashtu edhe për ato ushtarake.
Irani mohon të jetë në kërkim të armëve bërthamore dhe nuk njihet se ka prodhuar uranium të pasuruar në nivel ushtarak, por Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) ka vlerësuar kohët e fundit se Teherani mund të prodhojë armë bërthamore nëse e rafinon më tej uraniumin që zotëron.
Natanz ka dhjetëra mijëra centrifuga dhe është një nga qendrat kryesore që kontribuon ndjeshëm në shtimin e rezervave iraniane të uraniumit të pasuruar në nivele të larta.
Objekti i Natanzit ka qenë ndër vite në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. I përfshirë në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 që kufizonte aktivitetet që Irani lejohej të zhvillonte në Natanz, por që nga tërheqja e SHBA-ve nga marrëveshja në vitin 2018, gjatë presidencës së Donald Trump, aktiviteti në këtë objekt është rritur ndjeshëm.
Izraeli besohet të ketë ndërmarrë disa operacione sabotimi ndaj Natanz gjatë viteve të fundit. Kjo qendër u godit nga një sulm kibernetik madhor në vitin 2010, si dhe pësoi dëmtime nga eksplozivë të fshehur në një tavolinë në vitin 2020.
Një vit më pas, Natanz pësoi dëme të tjera të konsiderueshme në një sulm misterioz, për të cilin Irani akuzoi sërish Izraelin.
17 të lënduar nga sulmet iraniane ndaj Izraelit

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Avichay Adraee, ka thënë se Irani ka lëshuar më pak se 100 raketa.
Si pasojë e sulmeve, CNN shkruan se 17 persona kanë pësuar lëndime, teksa 40 të tjerë po trajtohen në spitalet izraelite, ku dy persona janë në gjendje kritike.
Lëndimet përfshijnë dëmtime nga copëza xhami, ngufatje nga tymi dhe tronditje psikologjike.
Izraeli bëri të ditur se Amerika bashkë me disa aleatë të tjerë i ka ndihmuar që t’i zmbraps raketat iraniane.
Nafta pëson rritjen më të madhe ditore që nga viti 2022, ndërsa tensionet Izrael-Iran përshkallëzohen

Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm, pasi Izraeli ndërmori sulme ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake iraniane, duke tronditur tregjet globale dhe shtuar frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon.
Nafta amerikane dhe nafta Brent – referenca globale për çmimin e naftës – shënuan fitimet më të mëdha ditore që nga marsi i vitit 2022, pak javë pas agresionit rus në Ukrainë.
Treguesit kryesorë të naftës regjistruan gjithashtu rritjet më të mëdha javore që nga tetori i vitit 2022, shkruan AP.
Nafta amerikane u rrit me 7.26%, duke u mbyllur në afërsisht 72.98 dollarë për fuçi.
Nafta Brent u rrit me 7%, duke u mbyllur në rreth 74.23 dollarë për fuçi.
Gjatë ditës, çmimet kishin arritur deri në një rritje prej 14% për naftën amerikane dhe 13% për Brent.
“Për tregjet, vëmendja tani është përqendruar te mënyra se si mund të evoluojë dhe përshkallëzohet situata”, tha Jim Reid, strateg kërkimor në Deutsche Bank.
Më vonë gjatë ditës, Irani iu përgjigj sulmeve duke lëshuar qindra raketa balistike drejt Izraelit.
“Skenari kryesor përmes të cilit ky përshkallëzim mund të ndikojë ekonominë globale është rritja e çmimeve të naftës”, shkruajtën analistët e Capital Economics.
Rritja e çmimeve të naftës në nivel global mund të rindezë presionet inflacioniste, duke vështirësuar perspektivën për politikëbërësit si Rezerva Federale e SHBA-së.
Izraeli thotë se Irani ka lëshuar më pak se 100 raketa dhe se ‘‘pak prej tyre’’ kanë goditur objektiva

Ushtria izraelite ka deklaruar se Irani ka lëshuar më pak se 100 raketa drejt Izraelit të premten në mbrëmje dhe se vetëm “pak prej tyre” kanë goditur objektiva.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Effie Defrin, tha në një deklaratë me video se disa nga goditjet e raportuara ishin shkaktuar nga mbetjet e raketave të kapura nga sistemet e mbrojtjes ajrore, raporton CNN.
Defrin paralajmëroi gjithashtu se mund të ketë sulme të tjera gjatë natës dhe u bëri thirrje civilëve të qëndrojnë pranë vendeve të strehimit.
Netanyahu paralajmëron më shumë goditje në zonat bërthamore: Ne luftën s’e kemi me popullin e Iranit

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar pas kundërpërgjigjes së Iranit, drejt Tel Aviv dhe Jeruzalemit.
Netanyahu thotë se lufta e Izraelit nuk është me popullsinë e Iranit, por lidershipin. Ai paralajmëroi më shumë goditje kundrejt Iranit, në zona ushtarake dhe bërthamore.
Kryeministri izraelit iu drejtua qytetarëve iranianë, duke u bërë thirrje të ngrihen dhe që zëri i tyre të dëgjohet.
Ai theksoi se qëllimi i Izraelit është të ndalojë kërcënimin bërthamor dhe të raketave që vjen nga Irani. “Teksa ne arrijmë qëllimin tonë, po hapim rrugën edhe për ju që të arrini lirinë tuaj,” tha ai.
Në fund, Netanyahu i bëri thirrje popullit iranian të bashkohet rreth flamurit dhe historisë së vet.
Ndryshe, rreth 150 raketa janë lëshuar nga Irani në drejtim të qyteteve kryesore të Izraelit në valën e parë hakmarrëse të Teheranit, që erdhi pas atij sulmi kirurgjikal të ushtrisë izraelite, që i mori jetën komandantëve kryesore të Gardës Revolucionare dhe shkencëtarëve që çonin përpara programin bërthamor të vendit.
Sipas mediave në Izrael, IDF I ka njoftuar tanimë civilët se mund të largohen nga strehimoret e tyre sepse sulmi iranian ka mbaruar.
Të paktën shtatë vende në dhe përreth Tel Avivit u goditën nga sulmi me raketa iraniane ndaj Izraelit këtë mbrëmje, tha një zyrtar ushtarak izraelit për The New York Times, pa specifikuar shkallën e dëmit.
Ministri izraelit i Mbrojtjes në reagimin e parë pas kundërpërgjigjes së Teheranit tha se “Irani e ka shkelur vijën e kuqe duke guxuar të lëshojë raketa në qendrat e popullsisë civile në Izrael”.
“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë qytetarët izraelitë dhe të sigurohemi që regjimi i ajatollahëve të paguajë një çmim shumë të lartë për veprimet e tij kriminale”, tha Katz.
Ndërkohë, lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei e paralajmëroi ofensivën hakmarrëse përkundrejt Izraelit përmes një postimi në platformën ‘X’ mbrëmjen e sotme, pak para se sulmi me raketa që goditën Tel Avivin dhe Jeruzalemin, të niste.
“Regjimi sionist ka bërë një gabim të madh, një gabim të rëndë dhe ka kryer një akt të pamatur. Me ndihmën e Zotit, pasojat e këtij veprimi do ta çojnë atë regjim drejt shkatërrimit. Kombi iranian nuk do të lejojë që gjaku i dëshmorëve të tij të vlefshëm të mbetet pa hakmarrje, dhe nuk do të injorojë shkeljen e hapësirës sonë ajrore”, tha Kahmenei.
Më tej lideri iranian shtoi se Forcat e Armatosura të vendit të tij janë të gatshme, dhe zyrtarët e lartë dhe i gjithë populli janë pas tyre.
“Sot, duhet t’i përgjigjemi fort identitetit të keq, të pështirë dhe terrorist sionist. Me ndihmën e Zotit, do të përgjigjemi me forcë dhe nuk do të tregojmë mëshirë ndaj tyre. Jeta me siguri do të bëhet e hidhur për sionistët. Regjimi sionist nuk do të shpëtojë i sigurt nga ky krim i tmerrshëm që ka kryer. Kjo është e sigurt: Forcat e Armatosura të Republikës Islamike do të japin goditje të rënda kundër këtij armiku të keq sionist. Populli iranian është me ne. Ata mbështesin Forcat e Armatosura, dhe Republika Islamike do të triumfojë mbi regjimin sionist, me vullnetin e Zotit”, shtoi në vijim Khamenei.
Sulmi i Izraelit natën e kaluar shkaktoi vdekjen e disa komandantëve të lartë iranianë, përfshirë Hossein Salami, komandantin e përgjithshëm të Gardës Revolucionare Islamike.
Ministri i izraelit i Mbrojtjes: Irani kaloi vijat e kuqe, lëshoi raketa mbi civilë

Ministri i Mbrojtjes, Izrael Katz, thotë se Irani “ka kaluar vijat e kuqe pasi guxoi të qëllojë me raketa ndaj përqendrimeve të popullsisë civile në Izrael”.
“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë qytetarët e Izraelit dhe të sigurohemi që regjimi i Ajatollahut të paguajë një çmim shumë të lartë për veprimet e tij të urryera”, shton ai.
Ndryshe, Irani sapo ka nisur valën e sulmeve ndaj Izraelit.
Së fundmi në rrjete sociale po qarkullojnë pamje të sulmit.
Sipas një deklarate nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit, sistemet mbrojtëse po veprojnë për të kapur raketat.
Ndërsa qytetarët janë udhëzuar të kërkojnë strehim.
Sulmin e konfirmuan edhe vetë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit.
Zëdhënësi ushtarak izraelit mohon raportimet e mediave iraniane për rrëzimin e një avioni luftarak

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka mohuar raportimet e mediave iraniane se një avion luftarak izraelit është rrëzuar dhe se piloti i tij është marrë peng.
Mohimi i Izraelit vjen pasi Irani nisi një valë të re sulmesh raketore hakmarrëse mbi Izraelin të shtunën në mbrëmje, pas sulmeve ajrore izraelite në të gjithë Iranin, raporton The Guardian.
Këto sulmet vranë komandantë dhe shkencëtarë.
Irani pretendon se ka rrëzuar të paktën dy avionë izraelitë në hapësirën ajrore iraniane
Irani pretendon se ka rrëzuar të paktën dy avionë izraelitë në hapësirën ajrore iraniane

Agjencia zyrtare e lajmeve e Iranit, IRNA, raportoi të premten në mbrëmje se të paktën dy avionë luftarakë izraelitë janë rrëzuar në hapësirën ajrore të Iranit.
Megjithatë, diçka të tillë CNN nuk ka mundur të verifikojë këtë pretendim dhe ka kërkuar koment nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit.
Izraeli thotë se ka shkatërruar infrastrukturën bërthamore në Isfahan

Izraeli tha se ka shkatërruar objektin bërthamor të Isfahanit në Iran.
Aeroplanët e Forcave Ajrore sulmuan vendin bërthamor, ku zhvillohet procesi i rikonvertimit të uraniumit të pasuruar, sipas Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF).
Në një deklaratë, shtohet se kjo është faza tjetër në procesin e prodhimit të armëve bërthamore, raporton BBC.
IDF thotë se ka “shkatërruar një objekt për prodhimin e uraniumit metalik, infrastrukturën për konvertimin e uraniumit të pasuruar, laboratorët dhe infrastrukturën shtesë”.
Sulmi i Iranit ndaj Izraelit, deri tani nuk raportohet për të lënduar nga sulmet në Tel Aviv

Sulmet iraniane kanë rënë në një zonë brenda rajonit të Tel Avivit, por deri në këtë moment nuk ka raportime për të lënduar, sipas një zëdhënësi të policisë izraelite.
“Pak më parë, Policia e Izraelit mori raportime për rënie municionesh në një nga komunitetet brenda Distriktit të Tel Avivit. Në këtë fazë, nuk ka të lënduar, por është shkaktuar dëmtim prone,” tha zëdhënësi, raporton CNN.
“Oficerët e policisë dhe ekspertët për çminim janë aktualisht duke punuar për të izoluar vendet e goditjes,” shtoi ai.
Irani lëshon raketa drejt territorit izraelit, reagojnë Forcat Ajrore

Forcat Ajrore të Izraelit kanë reaguar menjëherë pas lëshimit të disa raketave nga territori i Iranit në drejtim të Izraelit, duke vendosur në gjendje alarmi disa zona të vendit.
Përmes një njoftimi zyrtar në rrjetin social X (ish-Twitter), Forca Ajrore e Izraelit ka konfirmuar se një numër sirenash paralajmëruese janë aktivizuar pas zbulimit të raketave të lëshuara nga Irani.
“Pak më parë, janë aktivizuar alarmet në disa zona të vendit pas zbulimit të raketave të lëshuara nga Irani drejt territorit të Shtetit të Izraelit. Në këto momente, Forca Ajrore po punon për t’i ndaluar dhe goditur kërcënimet kudo që është e nevojshme, për të eliminuar rrezikun”, thuhet në deklaratë.
Autoritetet izraelite i kanë bërë thirrje qytetarëve që të ndjekin me përpikëri udhëzimet e Komandës së Mbrojtjes Civile, duke shtuar se mbrojtja ajrore nuk është plotësisht hermetike dhe se ekziston ende rreziku nga sulme të tjera të mundshme.
לפני זמן קצר, הופעלו התרעות במספר מרחבים בשטח הארץ בעקבות גילוי טילים ששוגרו מאיראן לשטח מדינת ישראל.
בשעה זו חיל-האוויר פועל ליירוט ולתקיפה בכל מקום בו יידרש להסרת האיום.
הציבור מתבקש להישמע להנחיות פיקוד העורף.
ההגנה לא הרמטית, ועל כן יש להמשיך ולהישמע להנחיות פיקוד העורף.— Israeli Air Force (@IAFsite) June 13, 2025
“Do hapim portat e ferrit!” Komandanti i ri i Gardës Revolucionare Iraniane kërcënon Izraelin

Komandanti i sapoemëruar i Gardës Revolucionare të Iranit, Mohammad Pakpour, ka kërcënuar me hakmarrje të ashpër për sulmet izraelite që vranë paraardhësin e tij, Hossein Salami.
“Në hakmarrje për gjakun e komandantëve, shkencëtarëve dhe qytetarëve tanë të vrarë, portat e ferrit do të hapen së shpejti për këtë regjim që vret fëmijë”, tha Pakpour në një deklaratë të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve e Iranit IRNA.
Kush është Mohammad Pakpour?
I lindur në vitin 1961 në Arak, Irani qendror, gjenerali Mohammad Pakpour mban një diplomë master në gjeografi nga Universiteti i Teheranit dhe një doktoraturë në gjeografi politike nga Universiteti Tarbiat Modares.
Ai u specializua në menaxhimin e rajoneve kufitare të paqëndrueshme të Iranit dhe në zhvillimin e doktrinës së luftës asimetrike, shkruajnë mediat e huaja.
Karriera e hershme dhe përvoja në luftë
Ai iu bashkua Gardës Revolucionare (IRGC) dhe Forcës Quds menjëherë pas Revolucionit Islamik në vitin 1979 dhe u vendos menjëherë për të luftuar kundër grupeve të armatosura në provincën iraniane të Kurdistanit.
Gjatë Luftës Iran-Irak të viteve 1980, Pakpour komandoi disa divizione në vijën e frontit, duke përfshirë divizionin elitar të 8-të Najaf Ashraf dhe divizionin e 31-të Ashura.
Ai u plagos në luftë, por fitoi reputacionin si një komandant i qëndrueshëm dhe pragmatik besnik ndaj themeleve ideologjike të Republikës Islamike.
Ngritja në hierarkinë ushtarake
Pas luftës, ai mori role strategjike brenda IRGC-së.
Në vitin 2009, ai u emërua komandant i forcave tokësore të Gardës Revolucionare, ku udhëhoqi modernizimin dhe ristrukturimin e strategjisë ushtarake të Iranit përballë kërcënimeve të huaja në rritje.
Ai është dalluar veçanërisht në operacionet kundër terrorizmit. Ishte ai që urdhëroi vendosjen e njësive elitare Saberin gjatë sulmeve të ISIS-it në vitin 2017 në parlamentin iranian.
Marrëdhëniet dhe rëndësia ndërkombëtare
Bashkimi Evropian e sanksionoi atë në vitin 2021, së bashku me shumë komandantë të tjerë të IRGC-së, për ato që mediat iraniane i quajnë akuza të pabaza.
Analistët besojnë se emërimi i Pakpour, i njohur për disiplinën e tij operative dhe përvojën rajonale, përfaqëson një hap vendimtar në forcimin e rezistencës së Iranit.
Besohet se lidershipi i tij do të formësojë përgjigjen e Iranit ndaj agresionit të fundit izraelit.
Netanyahu: Trumpit i kemi treguar paraprakisht për sulmin ndaj Iranit

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli ishte në koordinim me Shtetet e Bashkuara përpara sulmit ndaj Iranit.
Netanyahu tha se Trumpi ishte në dijeni të sulmit, teksa tha se veprimet e Shteteve të Bashkuara, janë në dorë të presidentit amerikan.
“Ne u kemi treguar atyre paraprakisht, ata e dinin për sulmin. Çfarë do të bëjnë ata tani, ia lë në dorë Presidentit Trump – ai i merr vendimet e tij në mënyrë të pavarur”
“Nuk do të flas në emër të tij. Ai flet me bindje dhe vendosmëri dhe ka thënë se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore, nuk duhet të ketë kapacitete për pasurim”, tha Netanyahu, shkruan CNN.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se nuk ka pasur asnjë përfshirje apo ndihmë nga SHBA-ja në sulmet izraelite.