Izraeli u heq licencat 37 organizatave humanitare

Pas më shumë se dy vitesh lufte gjendja humanitare në Rripin e Gazës mbetet katastrofike. Megjithatë Izraeli po u ndalon organizatave humanitare të veprojnë atje. Edhe Mjekët pa Kufij janë ndër të organizatat e prekura.

Nga fillimi i janarit 2026 një numër i madh organizatash humanitare ndërkombëtare do të ndalohen të hyjnë në Rripin e Gazës. Izraelii akuzon ato për shkelje të rregullave të reja të qeverisë, sipas së cilave kërkohet një verifikim i organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Gazë.

Mes organizatave të prekura është edhe organizata “Mjekët pa Kufij”. Sipas Ministrisë izraelite të Diasporës kjo organizatë akuzohet se nuk ka sqaruar në mënyrë të mjaftueshme detyrat e anëtarëve të stafit, të cilët Izraeli i ka akuzuar për bashkëpunim me Hamasin dhe grupe të tjera militante.

Qyteti i Gazës: Një fëmijë me diegie në fytyrë duke marrë trajtim në një klinikë të Mjekëve Pa Kufij
Mjekët pa Kufij janë një nga organizatat më të mëdha mjekësore që veprojnë aktualisht në Rripin e GazësFotografi: Mohammed Salem/REUTERS

Të prekura 37 organizata humanitare

Sipas Ministrisë së Diasporës deri tani u janë revokuar licencat 37 organizatave. Izraeli pretendon se këto organizata ofrojnë në Rripin e Gazës vetëm një pjesë të vogël të ndihmës së përgjithshme. Kurse Mjekët pa Kufij deklaruan se janë “një nga organizatat më të mëdha mjekësore që veprojnë aktualisht në Rripin e Gazës”.

Dy njerëz me karrocë duke kaluar para ndërtesave të shkatërruara në Rripin e Gazës
Sipas shifrave të fundit të Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, më shumë se 80 përqind e ndërtesave në Rripin e Gazës janë shkatërruar ose dëmtuar.Fotografi: Tania Kraemer/DW

Pavarësisht armëpushimit që është në fuqi që nga tetori, gjendja humanitare në Rripin e Gazës mbetet katastrofike. Sipas shifrave të fundit të Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, më shumë se 80 përqind e ndërtesave në Rripin e Gazës janë shkatërruar ose dëmtuar. Shumë njerëz jetojnë në kampe me çadra  dhe janë të prekur prej motit të dimrit. Po ashtu ka mungesë ushqimesh dhe furnizimesh mjekësore. /dw