Mbetjet më të fundit mortore të dorëzuara nga Hamasi në Izrael nuk i përkasin asnjërit prej pengjeve të zhdukura, njoftoi ushtria izraelite të shtunën.
Hamasi është grup militant palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera.
Sipas ushtrisë izraelite, mbetjet e tre trupave, të cilat u transferuan tek Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) të premten në mbrëmje, u ekzaminuan nga një institut mjekoligjor në Izrael.
Në të kaluarën, dorëzimi i mbetjeve mortore që më vonë rezultonte se nuk i përkisnin pengjeve, ka shkaktuar zemërim në Izrael. Qeveria izraelite nuk ka folur për pasojat e mundshme.










