Në sulmet ajrore izraelite të mërkurën u vranë të paktën 70 palestinezë në mbarë Rripin e Gazës, njoftuan autoritetet lokale shëndetësore, ndërsa bombardimet janë intensifikuar gjatë vizitës së presidentit amerikan, Donald Trump në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve nga personeli mjekësor, shumica e të vrarëve, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë gjatë një sërë sulmesh ajrore izraelite ndaj shtëpive në rajonin e Jabalias në veri të Gazës.
“Disa viktima ende ndodhen nën rrënoja, ku ekipet e shpëtimit dhe të emergjencës nuk mund të arrijnë”, thuhet në një deklaratë të ministrisë së shëndetësisë.
Pamjet e reuters tregojnë banorë që kthehen mes rrënojave të shtëpive të tyre. Disa po kontrollonin mbetjet e mureve dhe mobilieve, duke kërkuar dokumente dhe sende personale.
“Hodhën dy raketa, na thanë që shtëpia ishte goditur. Vrapuam atje, pamë pjesë trupash në tokë, fëmijë të vrarë, një grua të vrarë dhe një foshnjë të vrarë. Ishte vetëm dy muajsh”, tha një nga banorët e Gazës, i cili humbi të afërm në sulmin në Jabalia.
Raportime nga shtypi izraelit të mërkurën citojnë zyrtarë të sigurisë që besojnë se udhëheqësi ushtarak i Hamasit, Mohammad Sinwar, dhe zyrtarë të tjerë të lartë janë vrarë në një sulm të martën ndaj asaj që ushtria izraelite e përshkroi si një bunker komandimi dhe kontrolli nën Spitalin Evropian në qytetin Khan Younis në jug të Gazës.
Nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga ushtria izraelite apo Hamasi. Të mërkurën, dëshmitarë dhe punonjës shëndetësorë thanë se një sulm ajror izraelit goditi një buldozer që po i afrohej zonës së sulmit pranë Spitalit Evropian, duke plagosur disa persona.
Palestinezët shpresojnë që vizita e Trumpit në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të ushtrojë presion për uljen e dhunës. Të hënën, Hamasi liroi Edan Alexander, pengun e fundit të njohur amerikan që ishte ende gjallë.