Izraeli shton sulmet në Gaza ndërsa Trump ndodhet në rajon – dhjetëra viktima

Autoritetet lokale të shëndetësisë palestineze kanë njoftuar se ushtarët izraelitë kanë vrarë të paktën 50 palestinezë në të gjithë Rripin e Gazës të mërkurën, duke shënuar kështu një eskalim të madh të bombardimeve pikërisht në kohën kur presidenti Donald Trump ndodhet në Lindjen e Mesme.

Sipas mjekëve, shumica e viktimave, përfshirë gra dhe fëmijë, rezultuan nga një bombardim izraelit që goditi disa shtëpi në zonën e Jabalia, në veri të Gazës. Ndërkohë, sipas Reuters ushtria izraelite nuk ka dhënë ndonjë koment, duke thënë se ishin duke u munduar të verifikojnë raportet.

Megjithatë, disa raportime nga shtypi izraelit të mërkurën duke cituar zyrtarë të sigurisë, thanë se besohej që lideri ushtarak i Hamasit, Mohammad Sinëar, dhe zyrtarë të tjerë të lartë ishin vrarë gjatë një sulmi të martën mbi atë që ushtria izraelite e përshkroi si një bunker komande dhe kontrolli nën Spitalin Evropian në qytetin jugor të Khan Younis. Në lidhje me këto raportime nuk ka pasur ndonjë konfirmim nga asnjëra palë.

Reuters shkruan se ky eskalim i Izraelit erdhi përkundër shpresave palestineze që vizita e Trump mund të ushtronte presion për ulje të dhunës. Kujtojmë se Hamasi e liroi të hënën Edan Alexander, ushtarin amerikano-izraelit., ndërsa Trump, gjatë fjalës së tij në Riad tha se shumë pengje të tjerë do të liroheshin dhe shtoi se populli i Gazës meriton një të ardhme më të mirë.

Megjithatë, përpjekjet për të arritur një armëpushim janë penguar në javët e fundit, me Hamasin dhe Izraelin që kanë fajësuar njëri-tjetrin për dështimin.