Izraeli pranon: Vetëm një e katërta e të ndaluarve janë luftëtarë të armatosur në Gaza

Ushtria izraelite ka pranuar zyrtarisht se vetëm rreth 25 për qind e palestinezëve të ndaluar nën Rripin e Gazës që prej fillimit të ofensivës tokësore janë identifikuar si luftëtarë të armatosur. Shifrat kanë ngjallur shqetësim të madh në mesin e organizatave për të drejtat e njeriut dhe opinionit ndërkombëtar, pasi sugjerojnë se shumica e të ndaluarve janë civilë.

Sipas të dhënave të publikuara nga zyrtarë të inteligjencës ushtarake izraelite, nga rreth 6000 persona të ndaluar, vetëm 1450 janë klasifikuar si pjesëtarë të armatosur të Hamasit apo grupeve të tjera militante. Të tjerët përfshijnë gra, të moshuar, punonjës shëndetësorë, arsimtarë dhe qytetarë të zakonshëm që nuk kanë pasur lidhje me ndonjë aktivitet ushtarak, shkruan theguardian.

Në mesin e të ndaluarve janë raportuar raste të rënda si një 82-vjeçare me Alzheimer, një nënë e vetme me fëmijë të vegjël, mjekë, gazetarë dhe persona me aftësi të kufizuara. Një ish-ushtar izraelit, që ka shërbyer në bazën “Sde Teiman” ku mbahen të ndaluarit, e ka përshkruar atë si një “hangar geriatrik”, duke theksuar praninë e madhe të të moshuarve në mesin e të burgosurve.

Avokatë izraelitë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut kanë ngritur alarmin për procedurat ligjore që përdoren në ndalimet masive. Ligji izraelit për “luftëtarët e paligjshëm” lejon mbajtjen pa aktakuzë deri në 75 ditë, ndërsa kontakti me avokatin mund të mohohet deri në 45 ditë.

Sipas avokatëve që kanë pasur qasje në disa prej rasteve, ndarja midis civilëve dhe militantëve është shpesh e paqartë.

“Në shumë raste, askush nuk e di pse një person është ndaluar. Shumë prej tyre nuk kanë as aktakuzë”, thanë burime ligjore për mediat izraelite.

Mbi 2000 të ndaluar janë liruar tashmë pa asnjë akuzë, pasi hetimet nuk kanë gjetur asnjë lidhje të tyre me grupet militante.

Një ish-ushtar izraelit ka deklaruar për mediat vendase se “ne nuk bëjmë dallim mes një terroristi dhe dikujt që punon në shërbimin komunal të ujit në Khan Younis. Të gjithë ndalohen njësoj”.

Organizatat ndërkombëtare kanë bërë thirrje për respektimin e të drejtave të të burgosurve dhe për një verifikim të plotë të statusit të secilit të ndaluar, për të shmangur shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në një kohë kur situata humanitare në Gaza mbetet dramatike.