Sulmet ajrore izraelite goditën pozicionet e militantëve të lidhur me grupin ekstremist Hay’at Tahrir al-Sham (HTS), të cilët janë përfshirë në sulme të përshkallëzuara ndaj komunitetit druzi në zonat Sahnaya dhe Jaramana, në periferinë jugore dhe lindore të kryeqytetit sirian, Damask.
Këto zona përbëhen kryesisht nga popullsi civile druzi, një pakicë fetare e njohur për qëndrimet e saj neutrale në konfliktet rajonale, por që kohët e fundit është vënë në shënjestër nga grupe militante që kërkojnë të fitojnë kontroll në territoret pranë Damaskut.
Sipas burimeve lokale dhe raporteve nga terreni, përplasjet e armatosura kanë qenë të ashpra dhe janë shoqëruar me përdorimin e artilerisë së rëndë dhe bombardimeve ajrore, të cilat kanë sjellë një bilanc tragjik prej rreth 50 të vrarësh në vetëm 48 orët e fundit. Shumica e viktimave janë raportuar si luftëtarë, por mes tyre ka edhe civilë, përfshirë gra dhe fëmijë që kanë humbur jetën si pasojë e shpërthimeve dhe shembjes së ndërtesave.
Në reagim ndaj përshkallëzimit të dhunës dhe kërcënimit ndaj komunitetit druzi, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka lëshuar një deklaratë të prerë, duke thënë se “Izraeli do të mbrojë druziët nëse ata sulmohen”.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur shqetësimet për stabilitetin e brendshëm të Sirisë janë shtuar, ndërsa përfshirja e mundshme e Izraelit në mbrojtje të pakicave fetare në rajon mund të nxisë tensione të mëtejshme.
Netanyahu theksoi gjithashtu se lidhjet historike dhe shpirtërore të Izraelit me komunitetin druzi, i cili është i pranishëm edhe brenda territorit izraelit, janë të palëkundura dhe se çdo kërcënim ndaj tyre do të konsiderohet një vijë e kuqe
Ai u bëri thirrje aktorëve ndërkombëtarë të ndërhyjnë për të ndaluar përshkallëzimin e dhunës dhe për të garantuar sigurinë e popullsisë civile në zonat e përfshira nga konflikti