Izraeli godet Teheranin pasi Trump kërkon dorëzimin pa kushte

Sulme ajrore intensive izraelite shënjestruan kryeqytetin e Iranit mëngjesin e kësaj të mërkurë , një ditë pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump kërkoi dorëzim pa kushte.

Ushtria izraelite thotë se ka goditur vendet e prodhimit të centrifugave të uraniumit dhe fabrikat e armëve në Iran gjatë natës në ditën e gjashtë të ofensivës së saj të pashembullt.

“Këto sulme, të kryera nga më shumë se 50 avionë, shënjestruan një strukturë prodhimi centrifugash në Teheran, si dhe disa vende prodhimi armësh duke përfshirë objektet që prodhojnë lëndë të para dhe përbërës të përdorur për të montuar raketa tokë-tokë”, thuhet ne deklartën e ushtrisë izraelite

SHBA-ja ka dërguar avionë luftarakë në Lindjen e Mesme, kurse Trump bëri një sërë deklaratash rreth konfliktit, duke përfshirë paralajmërimin e Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei se SHBA-ja e dinë se ku fshihet ai, por se nuk kishte plane për ta vrarë atë “të paktën jo për momentin”.

Nga ana e tij, Khamenei ka reaguar vetëm ndaj sulmeve Izraelite mëngjesin e sotëm, duke paralajmëruar kundërpërgjigje.

“Beteja fillon”, ka theksuar ai.

Izraeli ka theksuar se sulmi gjithëpërfshirës është i nevojshëm për të parandaluar që Irani të afrohet më shumë me ndërtimin e një arme atomike. Sulmet kanë vrarë të paktën 224 persona në Iran.

Irani është hakmarrë duke lëshuar rreth 400 raketa dhe qindra dronë drejt Izraelit. Deri më tani, 24 persona janë vrarë në Izrael.

The post Izraeli godet Teheranin pasi Trump kërkon dorëzimin pa kushte appeared first on Kosovapost.net.