Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e cila menaxhohet nga Hamasi, ka thënë se të paktën 330 njerëz janë vrarë gjatë një sulmi të forcave izraelite gjatë natës së kaluar në enklavë.
Agjencia e lajmeve AFP e citon udhëheqësin e kësaj ministrie, Mohammed Zaqut, i cili thotë se shumica e të vdekurve janë gra e fëmijë, raporton televizioni BBC.
Ai shton se qindra të tjerë janë plagosur, “dhjetëra prej tyre në gjendje kritike”.
Qeveria izraelite i kishte dhënë Shtëpisë së Bardhë njoftim para se t’i niste sulmet, i ka thënë një zyrtar izraelit televizionit amerikan CBS.
“Izraeli, nga tani e tutje, do të veprojë kundër Hamasit me fuqi ushtarake në rritje” – tha zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Raportohet se në mesin e të vdekurve janë disa figura të larta politike e të sigurisë të Hamasit, por mjekët thonë se nga sulmet u vranë edhe shumë fëmijë.
Hamasi paralajmëroi se ai që e quajti “eskalim i paprovokuar” i Izraelit e ka shkelur në mënyrë të njëanshme armëpushimin dhe e ka vënë në rrezik fatin e pengjeve.
Mohammed Jarghoun, 36 vjeç, ishte duke fjetur në një tendë afër shtëpisë së tij të shkatërruar në Khan Younis, kur u zgjua nga shpërthime të forta.
“Mendova se ishin ëndrra dhe ankthe nate, por pashë një zjarr në shtëpinë e të afërmve të mi. Më shumë se 20 martirë e të plagosur, shumica gra e fëmijë” – i tha ai agjencisë AFP./Nacionale