Për ca ditë, Izet Mexhiti pati komoditetin që ta linte punën e tij si zëvendëskryeministër dhe ministër i Mjedisit në Maqedoninë e Veriut e të përfshihej në fushatë për llogari të kandidatëve të VV-së në Kosovë. Megjithatë, mundi i tij shkoi huq pasi qytetarët në Viti e Kaçanik vendosën t’u besojnë kandidatëve nga radhët e LDK-së dhe PDK-së dhe jo atyre të VV-së. Edhe sivjet në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit, VLEN-i kishte mobilizuar mbështetësit e vet që t’i mbushnin sallat e Vetëvendosjes në Prishtinë e Ferizaj. Ndërkohë, partnerët shqiptarë të Mickoskit kanë investuar edhe në hapjen e një mediumi të vocërr në Kosovë…
Col MEHMETI
11 tetor 2025 – Vartësi i kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski, Izet Mexhiti doli të ishte mjaft i zënë këtyre ditëve.
Në vend të angazhimeve si Zëvendëskryeministër dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në Maqedoninë e Veriut, ai përvoli mëngët në fushatë zgjedhore për hesap të kandidatëve të Vetëvendosjes në Viti e Kaçanik.
I shoqëruar nga përfaqësuesi i Albin Kurtit në shtetin fqinj, Bekim Qoku, Mexhiti të premten e kaluar u takua me kandidatin e Vetëvendosjes në Kaçanik, Jeton Raka.

Fushatimin e tij jokonvencional e vazhdoi edhe në komunën e Vitisë ku pati takime e dorështrëngime me strukturat lokale të Vetëvendosjes.
VLEN-it i shkoi mundi huq
Sidoqoftë, mundi i VLEN-it shkoi huq për shkak se qytetarët e dy komunave juglindore nuk ishin të një mendje për sa u përket kandidatëve të Vetëvendosjes.
Në rrethin e dytë të votimeve, në Kaçanik, Jeton Raka i VV-së me 7,010 vota ose 48,18% humbi garën përballë Sabedin Vishit të PDK-së që mori 7,539 vota ose 51,82%.
Po kështu, edhe në Viti shkoi dëm angazhimi i njeriut me pozicionin e dytë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
I përkrahur nga VLEN-i, Arsim Ademi i VV-së me 8,153 vota ose 49,40% humbi garën përballë Sokol Halitit të LDK-së që mori 8,352 vota ose 50,60%.
Përpjekje për t’i manipuluar ‘apatridët’ – kosovarët jetimë të Maqedonisë
Por çfarë kishte pas këtij sforcimi ku njëri nga politikanët shqiptarë në Maqedoni të Veriut e lë agjendën e vet zyrtare dhe përfshihet në një garë në Kosovë?
Në të vërtetë, një numër jo i vogël qytetarësh të Kosovës nga brezi i fshatrave kufitarë janë vendosur prej vitesh në Maqedoninë e Veriut – duke qenë pa nënshtetësi atje, VLEN-i e VV-ja janë përpjekur që t’i optimizojnë votat e tyre në garat në Kaçanik e Viti.
Të martën, edhe kryetari i sapozgjedhur i Vitisë, Sokol Haliti, e ka zëruar shqetësimin e tij për ndërhyrjen e zyrtarëve të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në zgjedhjet lokale.
Sipas tij, këtë angazhim e kanë bërë njerëzit që janë përgjegjës për humbjen e komunave shqiptare në Maqedoni.
“Me krejt infrastrukturën shtetëtore, dy qeveri kanë qenë në Viti dhe Kaçanik. Këtu erdhi zëvendëskryeministri i Qeverisë së Mickoskit, kurse dy komuna kryesore shqiptare i ka dorëzuar te maqedonët. Edhe në kohërat e rënda të segregacionit, shqiptarët nuk e lëshuan Kërçovën”, ka thënë Haliti para mbështetësve të tij në Viti.
Në Maqedoni e humbi Kërçovën e Bërvenicën, në Kosovë donte Vitinë e Kaçanikun
Koalicioni VLEN, pas balotazhit të 2 nëntorit, ka fituar në nëntë komuna shqiptare, kurse partneri i tij maqedon, VMRO-DPMNE, shënoi fitore rekorde në 55 komuna.
Në rrethin e dytë të votimeve, konstituenca maqedonase ndihmoi jo pak fitoren e kreut të Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti përballë Bujar Osmanit në garën për kryetar të Çairit.
Njësoj, votat maqedonase luajtën rol vendimtar edhe në fitoren e kreut të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në Tetovë, ashtu sikurse edhe në garën për Strugën votat maqedonase shkuan për llogari të Mendi Qyrës.
Paradoksalisht, në dy komuna me shumicë shqiptare, si Kërçova dhe Bërvenica, votat shqiptare, domethënë ato që më parë kishin qenë për kandidatët e VLEN-it, shkuan me të madhe në llogari të kandidatëve maqedonas nga radhët e VMRO-DPMNE-së.
Lexo edhe: Të gënjesh albinçe për Maqedoninë
VV-ja për VLEN-in, VLEN-i për VV-në, të dyja për VMRO-në
Vitin e kaluar, kryeministri Albin Kurti dhe njerëzit e rrethit të tij ishin përfshirë në përpjekje aktive në zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut.
Në emër të ndryshimeve në politikën shqiptare, Kurti nga zyra e tij i kishte bërë ‘amin’ atij që u quajt si koalicioni VLEN – në përbërje të të cilit ishin Aleanca për Shqiptarët e krahut të Arben Taravarit, Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe filiali lokal i VV-së.
Megjithë këtë mbështetje, VLEN-i kishte rezultuar jo fort i pëlqyer për votuesit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Me vetëm 10.92 për qind të votave, ky koalicion pati një dallim të shënueshëm prej Frontit Evropian me 14.06 për qind – që përbëhej nga BDI, Aleanca për Shqiptarët e krahut të Ziadin Selës, PDSh-ja, Lëvizja Popull, dy parti turke, një boshnjake dhe një rome.
Edhe VLEN-i me takat të vetin ishte munduar t’ia kthente borxhin Vetëvendosjes.
Në vigjilje të zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë, ata nuk kishin harruar t’ua kthenin ‘borxhin’ VV-së për mbështetje.
Shumica e krerëve të partive të VLEN-it kishin bërë thirrje që të votohej Kurti, madje aktivistë të partive të tyre kishin mbushur sallat ku mbaheshin mitingje zgjedhore për VV-në.
Së fundmi, njerëz të VLEN-it kanë kontribuar financiarisht edhe për hapjen e një mediumi të vogël në Kosovë.










