Iu hoqën afër 2 mijë vota pas rinumërimit, reagon kandidatja e PDK-së: Krim, e pafalshme – u bë pa dijeninë time

Kandidatja e PDK-së për deputete, Luljeta Veselaj Gutaj tha se i është cenuar integriteti dhe kërkoi që “të papërgjegjshmit të vihen para drejtësisë”, pasi rinumërimi i disa votave nxori se ajo në fakt duhej të kishte afro 2 mijë vota më pak.

 

Veselaj Gutaj përmendi përvojën e saj 20-vjeçare në politikë, ndërsa tha se integriteti i saj u cenua me “agjenda të panjohura”

Ajo ka kërkuar rinumërim në të gjitha komunat, teksa  shprehet e mllefosur dhe e zhgënjyer, por shtoi se do ta vazhdojë rrugën e saj politike.

“Tjetërsimin e votës e konsideroj krimin më të madh që mund t’i ndodhë demokracisë dhe rrugës sonë për një shoqëri të drejtë. Kjo nuk mund asesi të falet, dhe do të kërkoj përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë për dëmin e shkaktuar jo vetëm ndaj integritetit tim personal e politik, por edhe të integritetit të procesit më të shenjtë që e ka vendi ynë, atij zgjedhor.“Kjo nuk është demokraci, madje nuk mund ta quajmë as vjedhje, është sabotim i shtetit, dhe i gjithë asaj për çka sakrifikuam në këtë çerek shekull. Kjo dukuri që i preku të gjithë kandidatët pa asnjë përjashtim të cilësdo parti në Kosovë, duhet të ndalohet qysh tash dhe të papërgjegjshmit të sjellen para përgjegjësisë. Madje rinumërimi duhet të bëhet në të gjitha komunat, ashtu që kjo dukuri jo vetëm që të del në shesh në nivel vendi por edhe të parandalohet me të gjitha mekanizmat e mundshme të drejtësisë, ashtu që të mos ndodhë në të ardhmen”, u shpreh ajo.