Një incident ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në aksin rrugor Qafë Kashar–Rinas, ku një grup tifozësh shqiptar ka penguar qarkullimin e automjeteve dhe ka gjuajtur me sende të forta mbi tre autobusë, që transportonin tifozët polakë të Jagellonia.
Kjo përplasje ishte “zgjatim” i asaj që ndodhi para dhe gjatë Dinamo City-Jagellonia 1-1, ku përdhosjes së shtatores së Skënderbeut, heroit tonë kombëtar, në qendër të Tiranës, nga tifozët polakë, kolegët e tyre shqiptarë iu përgjigjën me “dajak” mbas ndeshjes në fjalë.
Policia e Tiranës bën me dije se, përmes specialistëve për hetimin e krimeve të Komisariatit Nr.7 dhe në bashkëpunim me sektorin e forcës së posaçme “Shqiponja”, identifikoi 5 shtetas të përfshirë në incident. Tre prej tyre, A. M., 32 vjeç, K. S., 29 vjeç dhe Sh. S., 30 vjeç, u arrestuan në flagrancë, ndërsa dy shtetas të mitur, 17 vjeç, po procedohen në gjendje të lirë.
Nga hetimet paraprake rezulton se veprimet e tyre, të kryera pas mesnate, përbëjnë veprime të rënda si pengim i qarkullimit të mjeteve, shkatërrim i pronës dhe prishje e rendit publik. Materialet procedurale i janë dorëzuar prokurorisë për veprimet e mëtejshme ligjore.
Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë, duke theksuar se siguria e qytetarëve dhe rendi publik mbeten prioritet.
The post Iu dhanë dajak tifozëve polakë, pasi përdhosën “Skënderbeun”, policia arreston shqiptarët appeared first on Telesport.