Ka vende që ndërtojnë futboll. Italia, fatkeqësisht, prej vitesh po ndërton vetëm alibi. Një kombëtare 4 herë kampione e botës nuk mund ta pranojë si normalitet faktin që ka mbetur 3 Botërorë radhazi jashtë fazës finale së kompeticionit. Ky nuk është më një aksident sportive, por dështimi më i madh institucional në historinë moderne të futbollit italian dhe prova se problemi nuk është trajneri i radhës, por mënyra si drejtohet i gjithë sistemi.
Ngjarjet e ditëve të fundit vetëm sa e vulosin këtë krizë. Italia e shndërroi zgjedhjen e trajnerit të ri në një betejë politike, mediatike dhe ideologjike, në vend që ta trajtonte si vendim sportiv. Andrea Pirlo ishte zgjedhja e Paolo Maldinit dhe e Leonardos, por kandidatura e tij u rrëzua mes polemikave për faktin se kishte qenë ambasador i një kompanie ruse bastesh.
Vetë Pirlo sqaroi se bëhej fjalë për një marrëdhënie thjesht komerciale dhe jo politike, por kjo nuk mjaftoi. Projekti u shemb dhe, në shenjë proteste, Paolo Maldini dhe Leonardo dhanë dorëheqjen. Këtu lind pyetja më e madhe: kur u bë ambasadori i një kompanie bastesh kriter më i rëndësishëm sesa kompetenca sportive?
Nëse një person ka shkelur ligjin, atëherë drejtësia duhet të flasë. Nëse flasim për një kontratë reklamimi, është absurde të trajtohet sikur bëhet fjalë për një funksionar shtetëror apo një komandant në frontin e luftës. Futbolli nuk mund të drejtohet nga emocioni politik i momentit.
Por ky është vetëm kapitulli i fundit i një libri të gjatë dështimesh. Italia vazhdon të besojë se çdo krizë zgjidhet duke ndërruar trajnerin. Ndërkohë, kombëtaret fituese nuk ndërtohen në pankinë, por në akademi, në qendrat stërvitore dhe në projektet afatgjata.

Një federatë serioze nuk punon me objektivin “duhet të fitojmë që vitin e parë”. Një federatë serioze ndërton projekt 10-vjeçar, investon te grupmoshat, krijon identitet loje dhe garanton vazhdimësi, pavarësisht emrit të trajnerit të kombëtares.
Pikërisht këtë tentoi të bënte Roberto Baggio. Në vitin 2013 ai u largua nga Federata Italiane, sepse projekti i tij për reformimin e futbollit italian dhe zhvillimin e talenteve të rinj nuk u mbështet nga drejtuesit. Vitet kanë kaluar dhe historia i ka dhënë të drejtë. Italia vazhdoi të prodhojë gjithnjë e më pak futbollistë të klasit botëror, ndërsa rezultatet u përkeqësuan deri në katastrofën e 3 Botërorëve të humbur radhazi.
Kur nuk dëgjon njerëzit që shohin 10 vite përpara, përfundon duke ndjekur “zjarrfikës” që mendojnë vetëm për ndeshjen e radhës. Në këtë histori ka edhe një figurë që meriton respekt maksimal; Paolo Maldini.
Ai nuk zgjodhi të qëndronte në karrige (si drejtor teknik i kombëtares italiane) për prestigj apo për para. Kur kuptoi se projekti i tij nuk respektohej, u largua me dorëheqje pas vetëm 16 ditësh në këtë detyrë. Ky është dallimi mes njerëzve që mbrojnë idetë dhe atyre që ngjiten pas postit. Dorëheqja e tij ishte një mesazh i fortë: pa autonomi sportive dhe pa besim te projekti, nuk ka arsye të qëndrosh.

Italia vazhdon të jetojë me kujtimet e 1982-shit dhe 2006-ës, ndërsa futbolli modern ecën me shpejtësi marramendëse. Spanja, Franca, Anglia, Gjermania e Portugalia kanë investuar prej vitesh në akademi, metodologji dhe zhvillim të lojtarëve. Italia, përkundrazi, vazhdon të diskutojë emrin e trajnerit si të ishte zgjidhja magjike e çdo problemi.
Nuk është, sepse problemi nuk është pankina. Problemi është federata, shteti që ndërfut në sport politikën, ideologjinë. Problemi është mungesa e vizionit. Problemi është politika që fut hundët aty ku duhet të flasë vetëm futbolli.
Derisa Italia ta kuptojë se kombëtaret nuk ndërtohen me improvizim, por me strategji afatgjatë, nuk duhet të habitet nëse vazhdon të humbasë terren ndaj elitës europiane dhe botërore.
Historia nuk të mban gjithmonë në majë. Në futboll, as emri “Italia” nuk fiton më ndeshje. Fiton vetëm organizimi. Dhe pikërisht aty, prej shumë vitesh, axurrët po e humbasin betejën më të rëndësishme.
The post Italia, peng i politikës dhe improvizimit. Ja pse axurrët janë kthyer në kombëtare të nivelit të tretë appeared first on Telesport.








