Ambasada e Italisë në Kosovë ka reaguar pas zgjedhjes së Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës. Në një postim në platformën X, ambasada italiane shkruan se mirëpret këtë zhvillim dhe pret që së shpejti të konstituohen plotësisht institucionet dhe të formohet Qeveria e re.
“Mirëpresim zgjedhjen e Dimal Bashës si Kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës dhe presim me padurim konstituimin e plotë të institucioneve dhe formimin e shpejtë të Qeverisë”, thuhet në reagim.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës më 26 gusht. Ai mori 73 vota për.
Basha mori vota edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe tre deputetë të AAK-së. Pas tij janë zgjedhur edhe nënkryetarët e partive shqiptare dhe ai i komunitetit joshumicë joserbe.
Vonesa janë shfaqur te propozimi i Listës Serbe për Sllavko Simiqin. Pas tri dështimeve, partia nuk propozoi më emra të tjerë, e kryetari Basha vendosi për hedhje të shortit.
E pasi disa emra dështuan edhe në short, Basha vendosi që seanca të vazhdojë të enjten. Pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar.
The post Italia mirëpret zgjedhjen e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit appeared first on Kosovapost.net.