Italia jashtë Botërorit, Buffon drejt largimit: Qëndroj deri në qershor, pastaj do të shohim

“Njësia e krizës” u kthye në një cikël pa magji, Amerika mungon… Lot dhe zhgënjim për Gianluigi Buffon, Leonardo Bonucci e Gennaro Gattuso. Udhëtimi nisi në Bergamo, 6 muaj më parë, me një përqafim simbolik pranë pankinës. Dy prej tyre fituan Botërorin në Berlin dhe njëri Europianin në “Wembley”. Një projekt që dukej i fortë, por tani shpërbëhet.

Buffon e kishte paralajmëruar; nëse Italia nuk shkon në Botëror, largohet si drejtues i delegacionit axurr. “Për vlerësime të sakta duhet kohë dhe sezoni mbyllet në qershor. Për tre muaj do të jem në dispozicion të federatës që më ka besuar…”

Pra, një vendim i pashmangshëm po afrohet. Ai mbështeti Gattuson, i cili afroi Bonuccin në staf. “Objektivi më i madh ishte Amerika dhe kjo dhemb shumë, rrezikon të na bëjë të mendojmë pa kthjelltësi. Këtu ndalem…”, – shtoi Buffon. Pas dështimit në Zenicë, një cikël mbyllet. Italia mbetet me lotët dhe shumë shpejt, edhe pa Buffon.

 

The post Italia jashtë Botërorit, Buffon drejt largimit: Qëndroj deri në qershor, pastaj do të shohim appeared first on Telesport.