Afera Mujka, Çitaku thotë se konfirmon kontrollin e Mihalit mbi çdo institucion.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se bisedat e publikuara nga VOX Kosova mes Dejona Mihalit, Artane Rizvanollit dhe Faruk Mujkës për punësimin ilegalisht të këtij të fundit si Kryeshef i Ndërmarrjes Hidroekonomike Ibër-Lepenci, e konfirmojnë “në mënyrë të pakontestueshme, kontrollin e hekurt të Dejonës mbi çdo institucion, çdo ndërmarrje dhe çdo vendim”.
“Një njeri pa asnjë legjitimitet demokratik, i veshur me pushtet nga lideri suprem, vendos se kur ndalet rryma, kujtojmë këtu bisedat me Nagipin, tashmë me aktakuzë, kush udhëheq borde e ndërmarrje publike, dhe madje se çfarë deklaratash duhet të publikojnë deputetët e VV”, shkroi Çitaku në Facebook.
Kjo, në vlerësimin e saj, “nuk është qeverisje”. “Institucionet janë shndërruar në vegla partie, ndërsa vendimmarrja është përqendruar në duart e një rrethi të ngushtë, jashtë çdo kontrolli dhe llogaridhënieje”, shtoi.
28 Dhjetori, thekson ajo, “është dita kur kjo mendësi do të marrë fund”. “Është dita kur qytetarët do t’i japin përgjigjen e merituar arrogancës, kapjes dhe abuzimit me pushtetin”.












